Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se e ka suspenduar një zyrtar policor, i cili jashtë detyrës zyrtare, në një veturë në të cilën ishte me tre persona të tjerë, iu është gjetur substancë narkotike.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën “Bejtush Gërbeshi” në Prishtinë.
“Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram)”.
“Gjatë kontrollit trupor te një nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë”, thuhet në njoftim.
Tutje, është shtuar se në këtë trast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit) .
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, “zyrtari policor është suspenduar”.