
Inspektorati i Komunës së Fushë Kosovës ka dalë në terren për të inspektuar një objekt banimi, ku ka ndodhur rënia e fasadës së ndërtesës, duke shkaktuar rrezik për qytetarët.
Për arsye sigurie, autoritetet komunale kanë rrethuar zonën përreth objektit dhe kanë vendosur shirita mbrojtës, me qëllim parandalimin e lëndimeve apo dëmeve të tjera të mundshme. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, një veturë ka pësuar dëme materiale, ndërsa një person ka mbetur i lënduar dhe aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Komuna e Fushë Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat ku ka objekte të vjetra apo të dëmtuara. Institucionet komunale kanë njoftuar se do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/
Bie fasada e ndërtesës në Fushë Kosovë, lëndohet një person