Instituti Pedagogjik apelon te MASHTI që të bëhet ndryshime në procesin e mbajtjes së testit të maturës

22:48 | 15 Gusht 2021

Sistemi arsimor në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

Më 5 korrik 2021, u publikuan rezultatet e Testit të Maturës Shtetërore, meqë rast kalueshmëria këtë vit doli të jetë 68.43 për qind.

Këtë vit, Provimit Shtetëror të Maturës i janë nënshtruar mbi 23 mijë nxënës në të gjithë vendin, shkruan lajmi.net.

Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit kalueshmëria del të jetë për një për qind më e madhe, ngase në afatin e parë të vitit 2020, kalueshmëria ishte 67.44 për qind.

Në të dy vitet, pragu i kalueshmërisë ishte 40% nga 100 pyetjet që i përmbante provimi.

Më 6 korrik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shpall konkurs për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2021/22.

UP-ja në afatin e parë të konkursit do të pranojë 6 mijë e 247 studentë, ndërsa aplikimi zgjat deri më datë 24.08.2021, në ora 16.00.

Nezir Çoçaj nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, në një përgjigje për lajmi.net, thotë se Provimi i Maturës Shtetërore reflekton në atë se çfarë ka bërë sistemi arsimor për nxënësit në këtë nivel, po ashtu shkolla dhe familja.

“Rezultati i Provimit të Maturës Shtetërore, reflekton atë se çfarë ka bërë sistimi arsimor për nxënësit deri në këtë nivel, çfarë ka bërë shkolla, por edhe familja… Nëse analizojmë rezultatin e përgjithshëm të kalueshmërisë (kujto 68.43%), në parim ky rezultat pritet të jetë..!, kur kemi parsysh se me Ligjin e ri për Provimin e Maturës Shtetërore, të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm të lartë që e përfundojnë klasën e 12 – arsimin e mesëm të lartë, marrin diplomë për përfundimin e këtij niveli të arsimit“, tha ai.
Sa i përket rezultatit të Testit të Maturës, Çoçaj thotë se nxënësit që hyjnë në këtë vlerësim e kanë synim Universitetin, andaj këta nxënës do të duhej të jenë relativisht të mirë në mësime, kështu që vlerëson se kalueshmëria në përgjithësi është e ulët.

“Për të plotësuar kriterin e aplikimit në universitet – Arsimin e lartë, duhet të marrin edhe maturen shtetërore. Kjo nënkupton se të gjithë nxënësit që hyjnë në këtë vlerësim, synim kanë universitetin dhe këta nxënës do të duhej të jenë nxënës relativisht të mirë në mësime. Në anën tjetër, kjo përqindje e kalueshmërisë nëse konvertohet me nivelin e arritjeve në nota të vlerësimit, siç e kemi ne vlerësimin pesë shkallësh (1-5), është e barabartë me notën 3, nivelin minimal te kesaj note…! Pra, arritëshmeria e nxënësve në provimin e matures, kundrejt % së kalueshëmrisë në përgjithësi është e ulët”, u shpreh Çoçaj.

Ai ndër të tjera thekson se ndikimi i pandemisë në rezultatet e maturës, nuk duket të jetë i madh.

“Ndikimi i pandemisë në arsimit parauniversitar, po edhe në nivelt tjera të arsimit, pritet të jetë i madh. Sistemet arsimore duhet të jenë shumë të kujdeshme se si do ti qasen analizës së ndikimeve dhe masave për tejkalimin e sfidave dhe problemeve të shpërfaqura. Në rastin e rezultateve të provimit të matures shtetërore, krahasuar me raportet e Bankes Botërore për humbjet mësimore nga ndikimet e pandemisë, por edhe krahasuar me rezultatet e matures në vitet parprake, nuk duket të jetë i madh”, shtoi ai.

Çoçaj përmend edhe faktorin që ka ndikuar në uljen e vështirësive të kërkesave të Provimit të Maturës Shtetërore.

“Mbase në këtë kohë të pandemisë, parimi udhëheqës – mirëqenia e fëmijëve/nxënësve, ka ndikuar në uljen e vëshirësive të kërkesave të provimit të maturës shtetërore!! Këtë më se miri mund ta thotë Divizioni për Vlerësim dhe Standarde në MASHTI”, u shpreh ai.

Sa i përket procesit të përgatitjes së Maturës Shtetërore për vitet e ardhshme, Nezir Çoçaj tha për lajmi.net se MASHTI duhet të ndërmarrë veprime konkrete, teksa theksoi disa çështje në këtë drejtim.

“MASHTI duhet të ndërmarrë veprime konkrete, duke vendosur një sistem të qëndrueshëm për informimin lidhur me provimin e maturës shtetërore. Për më shumë, nevojitet të plotësohet vegëza e veçantë për provimin e maturës shtetërore në faqen të MASHT-it, e cila kryesisht është e zbraztë, e pa përditësuar dhe pa informacione të nevojshme sidomos për maturantë. Informimi me kohë dhe në mënyrë të duhur, krijon klimë për përgatitje efikase për provimin e maturës, motivon nxënësit dhe mësimdhënësit për përmirësimin e cilësisë së të nxënit dhe mënjanon kontestimet e deritashme, tendencat për mashtrime dhe kopjime dhe forma të tjera të pengimit të provimit të maturës”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Çoçaj vlerëson se MASHTI duhet të përgatisë programe orientuese për provimin e Maturës Shtetërore, por edhe shkollat (gjimnazet dhe shkollat profesionale) duhet të rishikojnë qasjen e punës së tyre me nxënës.

“MASHTI duhet të përgatisë programe orientuese për provimin e maturës shtetërore dhe materiale të tjera mbështetëse e udhëzime profesionale që ndihmojnë punën e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, për përgatitje cilësore të maturantëve për këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e tyre. Në anën tjetër, shkollat (gjimnazet dhe shkollat profesionale) duhet të rishikojnë qasjen e punës së tyre me nxënës, fillimisht në ofrimin e të gjitha mundësive që nxënësit t’i arrijnë rezultatet e të nxënit, të ndihen të përmbushur me njohuri dhe aftësi të nevojshme, veçanërisht për lëndët përkatëse që janë pjesë e provimit të maturës, në mënyrë që të luftohen tendencat për mashtrime dhe kopjime. Po ashtu, shkollat duhet të fokusohen në punën plotësuese me nxënës, përtej kohës minimale të orëve javore mësimore, me qëllim përgatitjen më të mirë të nxënësve për arritje më të larta në provimin e maturës shtetërore dhe për punë të pavarur”, thotë Çoçaj.

Instituti Pedagogjik vlerëson se një element shumë i rëndësishëm në procesin e Testit të Maturës është edhe përmirësimi i kushteve të këtij procesi.

“Nga viti në vit janë bërë përmirësime sa i përket kushteve të mbajtjes së provimit të maturës shtetërore. Nevojitet që të vazhdohet me krijimin e mundësive që provimet e maturës të zhvillohen në klasa më të mëdha, me ndriçim të plotë, me ajrosje dhetemperaturë normale që krijojnë kushte dhe mundësi që nxënësit të punojnë në mënyrë të pavarur dhe pa presione të kushteve të mjedisit”, theksoi Çoçaj nga Instituti Pedagogjik.

Ky institut rekomandon që të vendosen masa standarde dhe të njëjtat të aplikohen gjatë procesit të administrimit të provimit.

“Procesi i administrimit të provimit të maturës shtetërore në mjediset e testimit mbetet një nga problematikat më të mëdha të sistemit të maturës në Kosovë. Ky proces duket se është mjaft kaotik në shumë qendra të testimit, i diskutueshëm dhe jo i besueshëm për shkak të administrimit jo të mirë dhe parregullsive të shumta, me mundësi për kopjim, mashtrim dhe me pengim serioz të nxënësve që kanë mësuar në mënyrë sistematike. Në një situatë të tillë, rekomandohet të vendosen masa standarde dhe të aplikohen ato gjatë procesit të administrimit, si sanksione konkrete për rastet e shkeljes së rregullave, pajisje që nuk lejojnë përdorimin e mjeteve të komunikimit të gjitha formave në qendrat e testimit, vendosje të rregullave të administrimit në secilën qendër të testimit dhe në secilën sallë/klasë të testimit, kritere tëaplikueshme të përzgjedhjes së administruesve që respektojnë kkodin etik dhe që marrin motivimin e duhur financiar të tyre. Ky proces do të mund të përmirësohej edhe me projektin E-matura, mirëpo zhvillimi online i provimit të maturës shtetërore kërkon përgatitje të duhura teknike dhe profesionale”, thonë nga Instituti Pedagogjik.

Çështje të tjera që vlerësohen mjaft me rëndësi në procesin e Maturës Shtetërore janë edhe rishikimi i modelit aktual të provimit të maturës shtetërore, ndërsa si problem përmenden edhe përgjigjet e nxënësve në pyetjet ku kërkohet mendimi kreativ, analizë dhe zbatim, do të thotë ngecja e tyre në këtë drejtim.

“MASHTI, pas 15 viteve të organizimit të matures shtetërore, duhet të rishikoj modelin aktual i provimit të maturës dhe procesin e zhvillimit të maturës. Rishikimi duhet të përfshijë një analizë të detajuar të provimit të maturës me pjesëmarrje të gjerë të subjekteve dhe duhet të rezultojë me një strategji të zbatuar për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të provimit të matures, si dhe me një kornizë të re të matures, të mbështetur në kurrikulën e bazuar në kompetenca dhe me udhëzues përcjellës me sqarime e shpjegime për nivelet e kërkesave/pyetjeve në provimet e matures në ndërlidhje me kometencat, modele të testeve të standardizuara, etj. Po ashtu, duke ju referuar edhe testeve të tjera (për pranim të studentëve në fakultet) vërehtet se nxënësit kanë probleme të japin përgjigje në këkrkesat që kanë të bëjnë më mendim kreativ, analizë dhe zbatim, ndërsa më lëhtë ju përgjigjen kërkesave që kanë të bëjnë me njohje dhe të kuptuar. Është për tu diskutuar edhe hapsira kohore/ditore që do të mund ti jepej gjuhës amtare (një ditë të jet vetëm për gjuhën shqipe), gjuhës angleze dhe matematikës”, përfundoi Çoçaj.

Komento: