Klubi italian Inter ka marrë një gjobë të rëndë pas fitores së mbrëmshme nga Napoli.
Pas incidenteve gjatë ndeshjes së djeshme kundër Napolit, Interit i është shqiptuar dënimi nga Lega Seria për t’i zhvilluar dy ndeshjet e radhës në San Siro pa tifozë, si dhe një ndeshje shtesë dënim për tifozët ultras, “Curva Nord”.
Fitorja e Interit me rezultat 1-0 ndaj Napolit mbrëmë u prish nga skenat e tmerrshme pasi që katër tifozë u therën me thikë, një tifoz vdiq pasi u shkel me furgon dhe Kalidou Koulibaly ishte viktime e koreve raciste, transmeton Gazeta Express.
Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, kishte thënë se ka kërkuar tre herë nga gjyqtari që të suspendohet ndeshja mes Interit dhe Napolit, mirëpo kjo kërkesë nuk i ishte pranuar.
Fillimisht, drejtori i Policisë së Milanos, Marcello Cardona, ka thënë se ai do të kërkojë që tifozët ultras të Interit të mos lejohen të shkojnë në ndeshjet e klubit të tyre si mysafirë, si dhe të mbyllet “Curva Nord” deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
“Ndodhën disa incidente shumë seriozë, kështu që unë kërkoj nga Komiteti i Rendit Publik që të mos i lejojë tifozët e Interit në ndeshjet e klubit si mysafir deri në fund të këtij sezoni, si dhe kërkoj mbylljen e ‘Curva Nordit’ në San Siro deri më 31 mars të vitit 2019, ose për pesë ndeshje plus një të Kupës së Italisë”.
Mirëpo, vendimi i marrë nga autoritetet qeverisëse të Serisë A në Itali ishte që në San Siro të zhvilloheshin dy ndeshje pa tifozë, si dhe një ndeshje ekstra suspendim për tifozët ultras, “Curva Nord”.
Për më tepër, si rrjedhojë e kësaj ndeshje, edhe Kalidou Koulibaly dhe Lorenzo Insigne janë pezulluar për dy ndeshjet e ardhshme, pasi që gjatë ndeshjes u ndëshkuan me karton të kuq.
Koulibaly është arsyeja pas dënimit të shqiptuar për Interin, pasi që Lega Seria në arsyetimin e dënimit për tifozët zikaltër i përmend thirrjet raciste që ishin bërë ndaj tij në ndeshjen e mbrëmshme.