Inter mposht Barcelonën, bën hapin e madh drejt kualifikimit

23:04 | 04 October 2022

Interi bën hap të madh në ‘grupin e vdekjes’ duke e mposhtur Barcelonën.

Interi ka arritur fitore përballë Barcelonës (1-0) në Giuseppe Meazza për të bërë një hap të madh në të ashtuquajturin ‘grupi i vdekjes’.

Nerazzurrët e nisën më mirë sfidën duke rrezikuar përmes Hakan Calhanoglu e Henrikh Mkhitaryan, derisa në minutën e 23-të pati dyshim për prekje të topit me dorë nga Eric Garcia, por pas konsultimit të VAR-it, nuk u akordua penallti.

Joaquin Correa arriti ta fuste topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Disa minuta pas një mundësie të Ousmane Dembele, vendasit e shënuan golin e epërsisë. Federico Dimarco e gjeti Hakan Calhanoglun pranë zonës dhe goditja e turkut u ndal në rrjetë (45’+2).

Dembele sërish rrezikoi në minutat e parë të pjesës së dytë, ndërsa nga një harkim i francezit, topi shkoi te Pedri, i cili e futi topin në rrjetë.

Mirëpo, pas rishikimit në VAR, u konfirmua se Ansu Fati e kishte prekur paraprakisht topin me dorë dhe goli u anulua.

Me gjithë përpjekjet e mysafirëve për të shënuar dhe një situate të dyshimtë penalltie (që u mohua nga VAR-i), katalunasit nuk arritën të shënonin në minutat e mbetura.

Pas kësaj fitoreje, Interi mban vendin e dytë në Grupin C me gjashtë pikë, tri më pak se Bayern Munichu. Barcelona ka tri pikë dhe do t’i presë zikaltrit në Camp Nou në sfidën e radhës.

Komento: