Interi ka arritur që të i rrëmbejë tri pikë të vlefshme.
Interi ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 ndaj Sampdorias në ndeshjen e luajtur në shtëpi në kuadër të javës së 24-të të Serie A.
Skuadra e Luciano Spalletti ka arritur edhe fitoren e tretë radhazi mes kampionatit dhe Ligës së Evropës, pasi ka mposhtur Sampdorian.
Pjesa e parë e ndeshjes i takoi për një nuancë vendasve të Interit, por edhe përkundër dominimit dhe rasteve, portat mbeten të paprekura.
Në pjesën e dytë vazhdoi loja më e mirë e Interit, por kësaj radhe pati fryte pasi shënuan edhe dy gola, kundrejt një të mysafirëve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 73-të dhe ishte Danilo D’Ambrosio, i cili shënoi nga afërsia për 1-0 pas asistimit të Ivan Perisic.
Megjithatë, festa e vendasve zgjati vetëm tre minuta pasi në skenë doli Manolo Gabbiadini që shënoi për 1-1 pas një tollovie në zonë.
Ky gol shkundi vendasit të cilët kërkonin me çdo kusht fitoren dhe atë e arritën pasi ishte Radja Nainggolan që shënoi në minutën e 78-të për 2-1 dhe vulosi fitoren e Nerazzurrëve.
Me këtë fitore, Interi e sheh veten në pozitën e tretë me 46 pikë, ndërsa Sampdoria renditet në vendin e 10-të me 33 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët udhëtojnë te Fiorentina, ndërsa Sampdoria e pret në shtëpi Cagliarin. /