
Interi jep një lajm për tifozët e tij.
Thuajse dy vite më parë, Gabriel Barbosa ishte kthyer në një problem për Interin, që investoi më tepër se 30 milionë euro për talentin brazilain dhe pa që ai nuk po arrinte t’i justifikonte ato në fushë.
Kështu drejtuesit vendosën ta huazojnë në Brazil, fillimisht te Santos ku e blenë dhe një vit më vonë te Flamengo, ku edhe luan aktualisht dhe do të jetë pjesë e ekipit deri në muajin dhjetor.
Kaq mjaftoi që Gabigol të rigjejë qetësinë dhe besimin, për t’u rikthyer sërish ai sulmuesi premtues, që shënon shumë gola dhe për të cilin Interi kishte paguar 33 milionë euro në verën e 2016-ës.
Me 18 gola në 34 ndeshje me fanellën e Santos dhe 17 gola në 16 ndeshje me Flamengon, Gabigol ka zgjuar edhe njëherë vëmendjen e shumë klubeve europiane, ndërsa trajneri i Brazilit, Tite vendosi ta rikthejë në kombëtare.
Flamengo është përgatitur t’i ofrojë Interit 18 milionë euro për ta blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit, pro duket se forma e tij e mirë ka tërhequr vëmendjen e Contes dhe Marottës, që kanë vendosur t’i japin edhe një shans si zikaltër.
Kështu sipas mediave pranë klubit milanez, Gabigol pritet të rikthehet te Interi në muajin janar dhe të vihet në dispozicion të Contes, ku do të ketë 6 muaj kohë për të treguar vlerat e tij dhe për të shpresuar një një qëndrim më të gjatë.
Të bindur që vlera e kartonit të tij mund t’i kalojë 30 milionë eurot, drejtuesit zikaltër do të tentojnë ta rikuperojnë për vete fillimisht brazilianin, për të mos rrezikuar të shohin shpërthimin e tij në një tjetër klub europian.
Por nëse Gabigol do të dështojë sërish në Itali, atëherë Flamengo, pro edhe klube të tjera europiane do të ishin gati të ofronin një shifër të kënaqshme për një sulmues që në moshën 23-vjeçare ia ka dalë të shënojë 119 gola në vetëm 268 ndeshje si profesionist.