Eder tashmë nuk është më pjesë e Interit, por ka dhënë një deklaratë interesante.
Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, tani që sezoni në Kinë ka përfunduar, Eder ka zgjuar entuziazmin e tifozëve interistë, duke folur për madhështinë e shoqërisë Suning.
“Janë madhështorë dhe funksionojnë si një familje e vërtetë dhe me vlera të shumta. Kanë mundësinë të blejnë këdo, përfshirë edhe Messin, por kanë një projekt serioz, të cilin po e ndjekin hap pas hapi. Mjafton të kujtoni kur erdhën te Interi, nuk premtuan Champions, kampionat apo blerje të mëdha, por rritje të vazhdueshme dhe pikërisht këtë po bëjnë”, deklaroi Eder.
Më pas sulmuesi italo-brazilian tregoi edhe detaje nga dy takime që ka pasur me bosin e skuadrave të Jiangsu dhe Inter, Zhang Jindong.
“E kam takuar dy herë gjithsej. Herën e parë në një drekë në shtëpinë e tij, pasi kisha ardhur në Kinë dhe herë ne dytë pas rastit Ramirez. Sulmuesi nuk u paraqit në stërvitje, sepse donte largimin në Portugali, por mesazhi i presidentit ishte i qartë, që donte njerëz seriozë dhe e dërgoi Ramirezin të stërvitet në skuadrën B”, tha Eder.