Interi nuk ka të ndalur, bën ofertë edhe për Alvaro Moratan

09:59 | 13 June 2020

Interi ofron para dhe një futbollist për transferimin e Alvaro Moratas.

Lautaro Martinez pritet të jetë largimi i madh nga Interi gjatë afatit kalimtar veror.

Sulmuesi argjentinas po kërkon me ngulm transferimin te Barcelona, ku ka tanimë një marrëveshje me katalunasit.

Interi nga ana tjetër është gati ta lë të lirë yllin e tyre, por kërkon që të paguhet klauzola e tij prej 111 milionë eurove.

Neroazzurët janë të bindur se Lautaro do të largohet, teksa tanimë kanë gjetur edhe zëvendësuesin e tij.

Trajneri i Interit, Antonio Conte ka kërkuar nga drejtuesit e klubit transferimin e Alvaro Moratas për të zëvendësuar Lautaron.

Conte ka punuar me Moratan te Juvetnusi dhe Chelsea, teksa e dëshiron atë edhe tek zikaltërtit.

27-vjeçari spanjoll është i huazuar te Atletico nga Chelsea, ndërsa Los Colchoneros në korrik do të paguajnë 55 milionë euro për blerjen përfundimtare të tij.

Megjithatë sipas medieve italiane dhe atyre spanjolle, Interi është duke përgatitur një ofertë për transferimin e Moratas.

Kampioni i shumëfishtë italian është gati të ofrojë 50 milionë euro para kesh si dhe shërbimet e mesfushorit uruguaian Matias Vecino për transferimin e Moratas.

Vecino vlerësohet shumë nga trajneri Diego Simeone, ndërsa vlera e tij në tregun e transferimeve sillet mbi 20 milionë euro.

Edhe pse duket një ofertë e mirë për Atleticon, mbetet të shihet nëse Los Colchoneros do ta pranojnë atë dhe të mbesin pa sulmues, pasi nga klubi madrilen pritet të largohet edhe Diego Costa.

Komento: