Interpretimi nga Kushtetuesja, Ligji për Pagat mund të zgjasë me muaj

08:55 | 10 December 2019

Ligji për Pagat mund të zgjasë me muaj.

Javën që lamë pas Ligji për Pagat në Sektorin Publik është dërguar në Kushtetuese.

35 ankesa nga sindikata dhe nga grupe ankuesish dërguar drejt Avokatit të Popullit kishin bërë që ky Ligj të dërgohet në Institucionin më të lartë gjyqësor në vend.

E një vendim i kësaj të fundit nuk dihet se kur do të bëhet publik.

Kështu ka bërë të ditur Veton Dula, drejtor i Zyrës për Informim në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka shtuar gjithashtu se Gjykata nuk ka afat të caktuar për vendimmarrje

“Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, bazuar në normat kushtetuese e ligjore në fuqi, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, ka shtuar Dula.

E njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu ka thënë për arbresh.info se vendimi nuk do të merret gjatë këtij viti.

Sipas tij edhe politika ka preferenca të ndryshme për këtë ligj.

“Nuk besoj që në asnjë mënyrë vendimi do të bëhet publik para Vitit të Ri, as pas festës por duket se ambiciet dhe interferimet politike te grupacionëve të ndryshme pro ose kundër që të shkoj apo të ndalet ai Ligj. Është çështje e Gjykatës kur e merr vendimin por jo kaq shpejt”, ka shtuar ai.

Baraliu ka thënë gjithashtu se Ligji do zbatohet prej 1 dhjetorit deri në vendimin e Gjykatës.

“Është e rëndësishme që Ligji do të zbatohet prej 1 dhjetorit përveç atyre dispozitave që Avokati i Popullit i ka veçuar si diksutabile dhe Gjykata rrjedhimisht me një masë të masë të përkohshme nëse e ndërmerr do të i veçoj ato nene”, ka shtuar ai.

E se Sektori Publik në Kosovë do të merr pagat me rritje që nga dhjetori kaknë bërë të ditur edhe nga Ministria e Financave.

Kështu ka bërë të ditur Muharrem Shahini, zyrtar për informim në këtë Ministri.

Ai ka shtuar gjithashtu se ky Ligj është në fuqi deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

“Për zbatimin e Ligjit për Pagat janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor. Mjetet financiare janë në buxhet, masa e pagave e buxhetuar është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare. Nëse Ligji për Pagat dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë deri në marrjen e vendimit nga kjo gjykatë ligji aktual është në fuqi dhe nuk e pengon implementimin e tij nga ana e Ministrisë së Financave”, ka thënë për Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave

Sipas Avokatit të Popullit Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Komento: