Intervista e Kurtit nxit reagime të shumta, opozita kërkon të ndalet retorika për luftë në Kosovë

09:48 | 09 Gusht 2022

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë të dhënë dje për gazetën italiane La Republicca ka thënë se ekziston një rrezik i lartë për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se se ky rrezik është rritur pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën.

“Rreziku i një konflikti të ri ndërmet Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thoja të kundërtën, veçanërisht pasi bota ka parë se çfarë ka bërë Rusia mbi Ukrainën”, tha Kurti ndër të tjera.

Retorika e Kurtit për luftën ka ngjallur reagime të shumta tek spektri politik opozitar në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, reagoi duke bërë thirrje që të mos ndillet frikë e panik, pasi thotë ajo se luftë në Kosovë nuk mund të ketë.

“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu”.

“Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë”, ka shkruar Çitaku ndër të tejra.

Pas Çitakut ka reaguar edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka e ka quajtur Kurtin kryeministër që nxit panik. Abdixhiku tha se Kurti në vend se të flasë për integrime apo investime e bën Kosovën kryelajm në mediat e huaja me deklarata për luftë.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!”, shkroi ndër të tjera Abdixhiku.

Ndaj deklaratave të Kurtit ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se vendi ynë ka nevojë për urtësi dhe normalitet në qeverisje.

Ish-kryeministri deklaroi se nga këtu duhet të dërgohen mesazhe që nxisin pozitivitet për të ardhmen tonë euro-atlantike.

“Kosova ka nevojë për urtësi dhe normalitet në qeverisje. Nga Kosova duhet të dërgohen mesazhe që nxisin pozitivitet për të ardhmen tonë euro-atlantike, për jetë më të mirë e për sigurinë e investimeve”, shkroi ndër të tjerash Hoti.

Ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka bërë të qartë se NATO është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë, bazuar në mandatin e OKB-së, nëse vihet në pikëpyetje stabilitetii vendit.

Kujtojmë se situata në veri të vendit u tensionua një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u maltretuan në kufi.

Tensionimi i situatës bëri që Qeveria e Kosovës ta shtyjë për muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Shtyerja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.

Komento: