Intervistohen sërish të kthyerat nga Siria, prokuroria ka një kërkesë

14:07 | 23 Maj 2019

Janë intervistuar sërish gratë të cilat ditë më parë u kthyen nga Siria.

Prokuroria Speciale e Kosovës do të kërkojë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’ua zgjasë ndalim shtëpiak, grave të kthyera nga Siria. Rreth 32 grave në bazë të kërkesës së prokurorisë do t’iu vazhdohet ndalimi deri në ngritjen e aktakuzave si dhe 4 burrave masa e ndalimit.

Se prokuroria do të kërkojë që të zgjatët masa ndalimit për kthyerat nga Siria, e ka konfirmuar prokurori special, Sylë Hoxha.

“Po, do të kërkojmë që të vazhdohet masa e arrestit për gratë e për burrat ajo e ndalimit”, tha Hoxha.

Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar sërish që gratë e burrat e riatdhesuar të intervistohen edhe një herë nga ana e organeve të hetuesisë.

Mësohet se prokuroria është duke i shqyrtuar mundësitë që të mbledhë prova nga kampet e luftës, aty ku për disa vite kanë qëndruar kosovarët në Sri.

“Po shikojmë për prova edhe nga Siria”, i ka thënë Expressit një burim brenda hetuesisë kosovare.

Kujtojmë se më 19 prill, 110 shtetas të Kosovës janë kthyer nga Siria në Kosovë, përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë, që morën pjesë në grupin militant, Shteti Islamik.

Luftëtarët janë prangosur menjëherë, kurse grave u është caktuar ndalim shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Kthimi i tyre u bë i mundur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se në zonën e konfliktit në Siri ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Riintegrimi i vështirë i të kthyerve nga Siria

Në vitin 2015, institucionet e Kosovës hartuan një ligj të posaçëm, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet heqje lirije.

Grupi militant Shteti Islamik, muajve të fundit humbi kontrollin mbi territorin të cilin e kontrollonte dhe shumë luftëtarë u prangosën, ndërkohë që gratë dhe fëmijët janë duke qëndruar nëpër kampe të ndryshme pasi shtetet prej nga vijnë nuk kanë pranuar riatdhesimin e tyre.

Komento: