Mandati i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar më 30 mars 2021. Kjo ka bërë që shumë projekte të institucioneve të bllokohen në këtë institucion të cilat kërkojë shqyrtim. Shoqëria civile i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më parë të përmbyll konkurset e hapura dhe të dërgojë në Kuvendin nga dy emra për secilën pozitë të anëtarit të bordit të OSHP-së.
Kompanitë që kanë garuar për të fituar një tender në institucionet publike, duke u shfaqur të pakënaqura me vendimet e institucioneve, kanë dërguar në OSHP dhjetëra ankesa. Kësisoj, ato projekte që janë hapur kanë ngecur për shkak që nuk ka kush të trajtojë ankesat. Rrjedhimisht projektet do të mbesin të pezulluara derisa të mandatohet Bordi i OSHP-së, i cili do të bënte trajtimin e tyre, shkruan lajmi.net.
Mandati i tre anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar e më 30 mars 2021, ndërsa pa dy anëtarët tjerë është tash e disa vite. Procesi i konkursit për përzgjedhjen dy anëtarëve dhe kryetarit të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, është hapur më 12 janar 2021 dhe për përzgjedhjen e dy anëtarëve tjerë është hapur më 8 prill 2019.
Demokraci Plus (D+) është organizata që mbikëqyr punën e OSHP-së. Agon Hysaj, monitorues në këtë organizatë i ka bërë thirrje Qeverisë që sa më parë të përmbyll konkurset e hapura dhe të dërgojë në Kuvend nga dy emra për secilën pozitë të anëtarit të bordit të OSHP-së.
Ai mendon që procesi për përzgjedhjen e kandidatëve është zvarritur shumë.
“Procesi i përzgjedhjes se anëtareve të bordit të OSHP-se është duke shkuar shumë ngadalë, sidomos kur merret parasysh që janë bërë më tepër se 1 muaj që OSHP është pa bord. Kur merret parasysh që njeri konkurs është shpallur në vitin 2019 e tjetri në janar të këtij viti atëherë është dashur qe të përzgjidhen emrat që do t’i dërgoheshin Kuvendit për votim. Por, ndoshta ndryshimi i shpeshtë i qeverive ka bërë të ketë vonesa”, tha Hysaj për lajmi.net.
Ai mendon që e gjithë kjo situatë është në dëm të qytetarëve, pasi projektet kapitale kanë ngecur në këtë organ që një kohë të gjatë.
“Mungesa e bordit te OSHP-së nënkupton që asnjë ankesë nuk mund të shqyrtohet dhe të gjitha ato aktivitete të prokurimit që kanë ankesa janë të pezulluara. Kjo shkakton probleme të mëdha në organizatat buxhetore dhe projektet e tyre e sidomos kur këtë vit janë edhe zgjedhjet lokale. Problemi me i madh është qytetarët pa faj të tyre ju mohohen investime kapitale të ndryshme për shkak qe tenderët janë të pezulluar. Deri më tani janë dorëzuar 157 ankesa prej që mbesin të pashqyrtuara”, shtoi tutje Hysaj nga D+.
Lidhur më konkursin e vitit 2019, ku tashmë dy kandidatë ishin propozuar nga qeveria Hoti për anëtarë të Bordit, qeveria aktuale ka menduar që të.
“Lidhur me procedurat e emërimit të anëtarëve të Bordit për Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, mund të ju njoftojmë se duke i’u referuar shkresës së Kuvendit të Republikës së Kosovë Nr. 07/875 të datës 02.10.2020, Zyra e Kryeministrit, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme (shpalljen e konkursit, emërimin e komisionit rekomandues dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Qeveria e Kosovës me vendimin Nr. 07/43 me datën 07 dhjetor 2020, me shkresën Nr.153/2020 i ka proceduar Kuvendit të Republikës për shqyrtim dhe miratim kandidatët për Anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik/OSHP. Ky propozim për arsye të shpërndarjes së legjislaturës së shtatë (VII) nuk është shqyrtuar, prandaj duhet të propozohet përsëri nga sponsorizuesi, Zyra e Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit për lajmi.net.
Ndërkohë, lidhur më konkursin tjetër tashmë janë në garë disa kandidatë.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se në konkursin e shpallur për Kryesuesin dhe dy anëtarë të OSHP-së prej datës 12 -26 janar 2021, kanë aplikuar gjithsej 12 kandidatë”, bëtë të ditur tuje zyra e kryeministrit.
Bordi i OSHP-së sipas Ligjit për Prokurimin Publik ka një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje. Si rezultat i kësaj që mbi një muaj nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomikë ndaj vendimeve të autoriteteve kontraktuese në lidhje me aktivitetet e prokurimit.
D+ ka kujtuar se, një situatë e tillë ka ndodhur edhe më herët, më saktë gjatë periudhës korrik 2013 – mars 2014, ku për rreth 7 muaj nuk janë shqyrtuar fare ankesat në mungesë të anëtarëve të bordit të OSHP-së.
“Më 27 mars 2014 bordi i ri i OSHP-së kishte refuzuar shqyrtimin e ankesave që ishin grumbulluar për këto 7 muaj me arsyen se ka kaluar afati ligjor prej 34 ditësh për të marrë vendim. Ekziston një rrezik i madh që situata e njëjtë të përsëritet, ku operatorëve ekonomikë ju mohohet e drejta për tu ankuar jo për faj të tyre. Autoritetet kontraktuese mund ta keqpërdorin këtë situatë për të nënshkruar kontrata të dëmshme ose për të favorizuar kompani të caktuara me shpresën se OSHP do të veprojë njëjtë si në të kaluarën pasi të emërohet bordi i ri, pra të mos shqyrtojë fare ankesat që kanë ardhur pas datës 30 mars”, kujton kjo organizatë.
Kuvendi i Kosovës në momentin që pranon emrat duhet të themelojë Organin e Pavarur Përzgjedhës dhe të hedhë në votim emrat e propozuar.