Benevento, i drejtuar nga trajneri Filipo Inzaghi, e ka siguruar promovimin në Serie A të hënën, përkundër që deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe shtatë ndeshje të ligës.
Ish-sulmuesi i Cagliarit, Marco Sau, hyri në ndeshje nga stoli para se ta shënonte golin e vetëm në fitoren 1:0 të Beneventos kundër Juve Stabia – rezultat ky që ia siguroi titullin e Serie B, nivelin e dytë të futbollit në Itali, transmeton express.
Benvento, që i ka fituar 23 nga 31 ndeshjet e kampionatit këtë sezon dhe e ka pësuar vetëm një disfatë, e ka një epërsi prej 24 pikësh ndaj Crotones dhe Cittadellas.
Ascoli kishte qenë paraprakisht klubi i fundit që e kishte arritur sigurimin e promovimit në ligë me shtatë ndeshje të mbetura dhe ata e bënë këtë në sezonin 1977/78, kur dy pikë jepeshin për një fitore.
Benevento ishte promovuar në Serie A për herë të parë në histori të klubit para tre vjetësh, mirëpo ata ranë nga liga vetëm pas një sezoni, pasi i kishin humbur 14 ndeshjet e para të sezonit.
Ish-trajneri i Milanit dhe Bolognas, Inzaghi, e kishte marrë drejtimin e Beneventos para 12 muajve dhe ai tani do t’i bashkohet vëllait të tij dhe trajnerin të Lazios, Simone Inzaghit, në ligën elitare të futbollit italian për sezonin vijues.