Imami i Obiliqit, Behar Mjekiqi është denoncuar për dhunë ndaj të dashurës së tij.
Siç u raportua dje në media, i njëjti u lirua në mënyrë të dyshimtë të martën në mbrëmje pas shoqërimit në polici nën dyshimin për rrahjen e të dashurës së tij.
Nga Inspektorati Policor i Kosovës, kanë konfirmuar për Reporteri se kanë nisur hetimet në lidhje me këto dyshime të raportuara në media.
IPK thotë se tashmë ka pasur kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë, përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar të grumbullojë informacione pas publikimit të lajmit në medie lidhur me këtë rast.
Krahas grumbullimit të informacioneve nga hetuesit e IPK-së janë ndërmarrë edhe veprime hetimore konkrete që kanë përfshirë kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit.
Veprimet tjera do të ndërmirren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre për Reporteri.
Imami Mjekqi ende nuk është deklaruar në lidhje me këtë rast.