IPK: Polici që shtiu me armë drejt viktimës u vetëdorëzua në stacion, me vete e pati edhe armën zyrtare

23:20 | 16 Gusht 2024
ipk:-polici-qe-shtiu-me-arme-drejt-viktimes-u-vetedorezua-ne-stacion,-me-vete-e-pati-edhe-armen-zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen në një dasmë në Ferizaj është pjesëtar i Policisë së Kosovës.

IPK-ja bëri të ditur se polici që ishte jashtë detyrës zyrtare, kishte shkuar në lokacion dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e plagëve të marra ka vdekur.

“Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast  kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë”.

“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetëdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje, në njoftimin e IPK-së bëhet e ditur se i dyshuari është suspenduar dhe me vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij incidenti të rëndë”, thuhet në reagim.

Komento: