IPK suspendon shtatë policë në Gjakovë

18:00 | 28 Tetor 2020

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar shtatë zyrtarë policorë të Gjakovës.

Në njoftimin e IPK-së bëhet e ditur se hetimet kanë filluar në muajin shtator.

Rasti ka të bëjë me përdorimin e armës së zjarrit nga një zyrtar policor ndaj një motoçiklisti bë lëvizje.

Në këtë rast është konstatuar se janë tejkaluar autorizimet e zyrtarit policor për përdorimin e armës zyrtare.

“Hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020. IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare”, thuhet në njoftim.

IPK njofton se hetuesit kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë.

“Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë(fshehje e dëshmive dhe informacioneve lidhur me rastin e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm)”, thotë IPK.

“Duke ju referuar autorizimeve ligjore të IPK-së, në interes të procedurës hetimore, IPK ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë punonjësve të Policisë së Kosovës si të dyshuar në këtë rast ( një major – U.D komandanti i stacionit policor të Gjakovës, një toger policor, katër zyrtarë policorë dhe një pjesëtar i stafit civil të PK-së). Hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, bëhet e ditur në njoftim.

Komento: