Operatori i dytë i telefonisë mobile (IPKO), pjesë e Telekomit të Sllovenisë, vitet e fundit po operon me humbje, ndonëse po e përmbyllë gati një dekadë e gjysmë të operimit në tregun e Kosovës, raporton FrontOnline.
Sipas dokumenteve ekskluzive të auditorit të pavarur “Deloitte”, të cilat i posedon portali, operatori i dytë i telefonisë mobile në vend vitin e fundit që e ka mbyllur me fitim ka qenë viti 2014, përkatësisht rreth 300 mijë euro, përderisa 5 vitet e fundit ka deklaruar humbje prej mbi 11 milionë euro, ndonëse të hyrat e përgjithshme të kompanisë përgjatë nga 2015-2018 kapin shifrën prej 282 milionë euro.
Sipas këtyre dokumenteve, vitin 2018 IPKO e ka përmbyllur me 72.2 milionë euro të hyra, ndonëse ka deklaruar 518 mijë euro humbje.
Edhe në vitin 2017 të hyrat e kompanisë kanë arritur në 71.8 milionë euro, përderisa kompania ka deklaruar humbje prej 2.6 milionë euro.
Në vitin 2016 të hyrat e IPKO-s kanë qenë 70 milionë euro, ndërsa kompania ka deklaruar humbjen më të lartë, përkatësisht 5.7 milionë euro.
Mbi 68 milionë euro kanë qenë të hyrat e IPKO-s në vitin 2015, derisa humbjet e deklaruara të kompanisë arrijnë në 2.5 milionë euro.
Bazuar në dokumentet e audituara nga kompania e njohur “Deloitte”, nga viti 2015-2018 IPKO ka siguruar të hyra nga tregu i telefonisë mobile prej 282 milionë euro, përderisa gjatë kësaj periudhe ka deklaruar humbje në vlerë prrej 11.3 milionë euro.
Sipas këtyre dokumenteve të audituara, kostoja vjetore (2018) e personelit të IPKO-s nuk ka qenë më e lartë se 3 milionë euro, ndërsa mbi 2 milionë euro i ka shpenzuar në vit për tarifat e agjentëve (komisionet), 1 milionë euro për reklamim në medie, 373 mijë euro shpenzime të qirasë, rreth 340 mijë euro shpenzime të akomodimit dhe udhëtimit, etj.
Gashi: Shërbimet telekomunikuese u përkeqësuan, ankesat e klientëve u shtuan
Portali “Front Online” i ka dërguar të hënën pyetje zyrës për medie në IPKO në lidhje më të hyrat dhe humbjet e deklaruara të kompanisë, të cilat figurojnë në raportin e auditorit të pavarur, “Deloitte”, por ata nuk janë përgjigjur.
Ndërsa Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, tha se të hyrat e korporatave jodomosdoshmërisht reflektojnë edhe në fitimet e kompanive për dy arsye: E para varet nga niveli i shpenzimeve operative dhe e dyta nga niveli i investimeve.
Sipas tij, ajo çka kemi parë vitet e fundit shërbimet në tregun e telekomunikimeve janë përkeqësuar dhe ankesat e klientëve janë shtuar. “Kjo nënkupton që nuk kemi pas investime domethënëse në këtë sektor”, ka pohuar Gashi.
Sipas Gashit, duke pasur një konkurrent në prag të falimentimit, siç ka qenë Telekomi i Kosovës, Ipko nuk ka qenë e motivuar të investojë në shërbime dhe kapacitete teknike, prandaj është interesant fakti që ata performojnë me humbje.
IPKO është shitur?
Në korrik të vitit 2019 Telekomi i Sllovenisë ka nxjerr në treg shitjen e 100 për qind të aksioneve të operatorit IPKO në Kosovë. Siç kanë njjoftuar mediet e Sllovenisë vendimi për shitjen e aksioneve është në koordinim me strategjinë e grupit të Telekomit të Sllovenisë.
“Në mars të vitit 2018 Telekomi i Sllovenisë është bërë aksionari i vetëm i IPKO Telecommunications pas blerjes së 6.89 për qind të aksioneve, të cilat kanë qenë të disa aksionarëve më të vegjël”.
Burime të “Front Online” thonë se Telekomi i Sllovenisë është në përfundim të procesit të shitjes së operatorit IPKO, me ç’rast edhe menaxhmenti i kësaj të fundit t po i bënë përgatitjet për të kaluar tek menaxhmenti i ri.
Përndryshe, Telekomi i Sllovenisë në vitin 2005 kishte përzgjedhur Kosovën për të investuar në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në ofruesin e shërbimeve të internetit në vend, IPKO.
Licencën e dytë të telefonisë mobile në Kosovë Telekomi i Sllovenisë e kishte paguar 75 milionë euro, përderisa kishin realizuar investime në infrastrukturën telekomunikuese në vlerë prej 200 milionë euro. Ky njëherit ishte investimi më i madh i huaj në Kosovë.
Fillimisht, përveç Telekomit të Sllovenisë, aksionar në IPKO kanë qenë edhe ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, Bujar Musa, Madeleine Albright, James O’Brian, etj.