
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet në treg për produktet e qumështit me bazë bimore, në zbatim të masave të ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Inspektimet janë zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë, ku gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 12 kontrolle në markete të ndryshme.
Sipas IQMT-së, gjatë inspektimeve janë evidentuar produkte të ndaluara për shitje nga AUV-i, ndërsa nga tregu janë tërhequr shtatë produkte që nuk kishin deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës.
Produktet e larguara nga tregu janë:
Schmand, VITA 18%, 180 g
Schmand, VITA 18%, 400 g
Schmand, VITA 18%, 800 g
Holla Cooking Cream, 1 L
Holla Barista, 3.8%, 1 L
Mazë tradicionale, DRENA, 1 kg
Schmand i freskët, BYLMETI
Nga IQMT kanë bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të fillojë edhe shqiptimi i gjobave ndaj operatorëve ekonomikë që nuk kanë zbatuar urdhrat për tërheqjen e produkteve të evidentuara si të papajtueshme me raportin e AUV-it.
Masat do të ndërmerren në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Ndërkohë, IQMT ka intensifikuar bashkëpunimin me konsumatorët përmes platformës së komunikimit në Viber, ku qytetarët mund të raportojnë rastet kur hasin në produkte të ndaluara për shitje.
Sipas institucionit, gjatë kësaj periudhe janë pranuar ankesa nga konsumatorë të cilët kanë raportuar se kanë hasur produkte të tilla në markete të ndryshme.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që t’i zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve të përcaktuara nga autoritetet kompetente, duke respektuar vendimet e AUV-it dhe legjislacionin në fuqi.


