
Iraku dëshiron një largim të shpejtë dhe të negociuar siç duhet të forcave ushtarake të udhëhequra nga SHBA nga territori i tij, por afati nuk është caktuar, tha kryeministri Shia al-Sudani, duke vlerësuar praninë e forcave të huaja në tokën irakiane si një faktor destabilizues, veçanërisht në kontekstin e luftës në Gaza dhe frika nga përhapja e mundshme e konfliktit në rajon, transmeton FrontOnline.
Fraksionet myslimane shiite, shumë me lidhje me Iranin, kanë bërë thirrje prej kohësh për largimin e forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, pas një serie sulmesh ajrore të SHBA-së kundër grupeve militante të mbështetura nga Irani, por që janë pjesë e forcave zyrtare të sigurisë së Irakut.
Sulmet ajrore, të cilat erdhën si përgjigje ndaj dhjetëra sulmeve me dronë dhe raketa ndaj forcave amerikane që kur Izraeli nisi një operacion ushtarak në Gaza, kanë shqetësuar qeverinë irakiane se vendi i tyre mund të bëhet sërish skenë e një konflikti rajonal.
Pentagoni njoftoi të hënën se nuk ka plane për të tërhequr trupat amerikane, të cilat ndodhen në Irak me ftesë të qeverisë irakiane. SHBA ka 900 trupa në Siri dhe 2,500 në Irak, si pjesë e një misioni që thotë se po ndihmon forcat lokale të parandalojnë ringjalljen e Shtetit Islamik, i cili pushtoi pjesë të mëdha të të dy vendeve në vitin 2014.
Iraku, prodhuesi i dytë më i madh i naftës në OPEC, ka qenë ndër kritikët më të ashpër të luftës së Izraelit në Gaza, por gjithashtu ka përsëritur se sulmet e grupeve të armatosura ndaj forcave të huaja dhe misioneve diplomatike në Irak janë të paligjshme dhe kundër interesave të vendit. Iraku pretendon se ka arrestuar disa autorë dhe ka parandaluar disa sulme./FrontOnline/