
Ministri i Jashtëm i Iranit akuzoi të hënën Shtetet e Bashkuara se janë përgjegjëse për dështimin e bisedimeve të paqes në Pakistan, pasi mbërriti në Rusi ku ishte planifikuar të takohej me presidentin Vladimir Putin.
“Qasja amerikane çoi në raundin e mëparshëm të negociatave, pavarësisht njëfarë progresi, duke dështuar në arritjen e qëllimeve të saj, për shkak të kërkesave të tepërta”, citohet të ketë thënë Abbas Araqchi nga media shtetërore iraniane.
Ai deklaroi gjithashtu se “siguria e kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit është një çështje e madhe globale”, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani vazhdojnë të bllokojnë rrugën ujore strategjike.
Irani i ka bërë një propozim SHBA-së nëpërmjet ndërmjetësve pakistanezë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës, raportoi të hënën organizata amerikane e lajmeve Axios.
Propozimi iranian i shtyn bisedimet bërthamore për një fazë të mëvonshme. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron që marrëveshja të përfshijë një dispozitë që Irani “nuk duhet të ketë armë bërthamore, përndryshe nuk ka arsye për t’u takuar”.
Putin do të presë Arakchi-n të hënën, i cili ndodhet në një mision diplomatik që synon të fitojë mbështetje në konfliktin me Uashingtonin.
Shpresat për një ringjallje të përpjekjeve për paqe janë pakësuar pasi Trump anuloi një vizitë në Islamabad të të dërguarve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, megjithëse ministri iranian Araqchi vazhdoi të udhëtonte midis vendeve ndërmjetëse.