Irani kërcënon me reagim të ashpër nëse bllokada detare e SHBA-së vazhdon

20:14 | 25 Prill 2026

Ushtria e Iranit ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet nëse SHBA-të vazhdojnë bllokadën e porteve iraniane.

Në një deklaratë të transmetuar nga disa media shtetërore, komanda qendrore e ushtrisë paralajmëroi se SHBA-të “do të përballen me një përgjigje nga forcat e fuqishme të armatosura të Iranit” nëse “bllokada” vazhdon.

“Ne jemi të gatshëm dhe të vendosur, ndërsa monitorojmë sjelljen dhe lëvizjet e armiqve”, shton ajo.

Irani paraqet kërkesat para ndërmjetësve pakistanez për ofertën e SHBA-së

Ndryshe, Irani ka shpalosur kërkesat dhe shqetësimet para ndërmjetësve pakistanezë në lidhje me propozimet e Shteteve të Bashkuara, ka bërë të ditur për Reuters një burim i përfshirë në bisedime.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, mbërriti gjatë natës në Islamabad, ku këtë mëngjes zhvilloi takime me shefin e ushtrisë së Pakistanit, si dhe me ministrin e Brendshëm dhe atë të Jashtëm të vendit.

Ndërkohë, për këtë fundjavë nuk janë paraparë bisedime të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të mbërrijnë sot në Islamabad.

Komento: