Irani miraton plan për të vendosur tarifa ndaj anijeve që kalojnë Ngushticën e Hormuzit

23:40 | 30 Mars 2026
irani-miraton-plan-per-te-vendosur-tarifa-ndaj-anijeve-qe-kalojne-ngushticen-e-hormuzit

Komisioni parlamentar i Sigurisë i Iranit miratoi një plan për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë, njoftoi një anëtar i komisionit.

Plani i komisionit synon të forcojë “rolin sovran të Iranit dhe forcave të tij të armatosura”, sipas njoftimit të transmetuesit shtetëror të Iranit (IRIB) të hënën, më 30 mars.

Dokumenti përshkruan elementë kryesorë për të rritur kontrollin dhe mbikëqyrjen iraniane mbi ngushticën, duke përfshirë “masa sigurie për mbrojtjen e rrugës ujore, masa për sigurinë e navigacionit detar dhe rregullore ekonomike me tarifa në rial për anijet që kalojnë aty, si dhe ndalimin e kalimit për anijet amerikane dhe izraelite”, sipas IRIB.

Ngushtica e Hormuzit është sot pika kryesore e tensionit në konfliktin që nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan së bashku Iranin, ka transmetuar Panorama.

Kërcënimi, apo edhe mundësia e mbylljes së ngushticës nga Irani, ka bllokuar rreth 15 milionë fuçi nafte në ditë në Gjirin Persik, duke shkaktuar paqëndrueshmëri të madhe në tregjet ndërkombëtare të naftës.

Komento: