Isa Mustafa ‘godet’ Kadri Veselin, e quan fallxhor

17:08 | 03 September 2019

Isa Mustafa e quan fallxhor Kadri Veselin, thotë se LDK nuk e nënshkruan paktin.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur qëndrimin e saj në lidhje me paktin me dhjetë pika për luftën kundër korrupsionit, të prezantuar sot nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli, përmes së cilit sipas tij, mund të kthehet besimi i qytetarëve ndaj politikanëve në luftimin e kësaj dukurie negative.

Pas takimit me deputetin e CDU-së, Peter Beyer, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur kundër nënshkrimit të paktit kundër korrupsionit, pasi partia që ai drejton ‘nuk dëshiron të qesë fall dhe të bëjë dokument fals”.

“Ne nuk nënshkruajmë as pakt, as dokument. Ne e luftojmë vetë korrupsionin dhe e kemi qëndrim themelor të LDK-së. Nuk dëshirojmë me qit fall për korrupsionin dhe të bëjmë dokument fals”, tha Mustafa.

Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një konferencë për media ka deklaruar se përmes paktit kundër korrupsionit, mund të kthehet besimi i qytetarëve ndaj politikanëve në luftimin e korrupsionit. Veseli madje iu ka bërë thirrje të gjitha partive politike ta nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit.

Komento: