Isa Mustafa i thumbon Kurtin e Osmanin për marrëveshjen me Serbinë, por ka edhe dilema

15:57 | 21 Qershor 2022

Mustafa i thumbon Kurtin e Osmanin për marrëveshjen me Serbinë, por ka edhe dilema.

Ish-kryeministri Isa Mustafa, ka folur për Gazetën Express lidhur me marrëveshjen të cilën qeveria Kurti e arriti sot me Serbinë në fushën e energjisë. Ai tha se ka dilema nëse Serbia do ta zbatojë.

Mustafa thotë se po të ishte sikur Vetëvendosje, do të thoshte se Kurti ka bërë marrëveshje me Serbinë për punë të brendshme të Kosovës.

“Po të isha si ata (VV) do të thosha se kanë bërë marrëveshje me Serbinë për punë të brendshme të Kosovës ose kanë kërkuar leje nga Serbia për operimin me energjinë në Kosovë. Nuk e kanë pyetur presidenten se a e kanë shkelur kushtetutën”, ka thënë Mustafa në një përgjigje për Express të martën.

Në vitin 2015 nën qeverisjen e Isa Mustafës, në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe atë për energjinë, marrëveshje të cilën Vetëvendosje e pati kundërshtuar fuqishëm. Sot zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u pajtua që e njëjta Marrëveshje të zbatohet.

Sa i përket Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë që u dakordua sot mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa u shpreh se është pikëpyetje nëse Serbia do ta zbatojë.

Megjithatë, ish-kryeministri e quajtur veprim të arsyeshëm të qeverisë së Kurtit, dakordimin për marrëveshjen.

“Marrëveshja që është arritur në vitin 2013 dhe 2015 ka pasur për qëllim që të ushtrohet sovraniteti i Kosovës në këtë fushë. Prandaj edhe kjo që me përulësi e ka pranuar Qeveria e VV-së është një veprim i arsyeshëm. Duke i njohur veprimet e Serbisë, për mua është pikëpyetje e madhe se a do ta zbatojë. Si do t’iu referohet Elektroseveri institucioneve të Kosovës në ndjekjen e procedurave”, tha tutje ai.

Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje është akoma aktive komunikata të cilën e kishin lëshuar për arritjen e marrëveshjes për energjinë me Serbinë në atë kohë kur kryeministër ka qenë Isa Mustafa. Vetëvendosje thoshte se një marrëveshje e tillë e legalizon ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe se e largon Kosovën nga unifikimi me Shqipërinë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar sot për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjen për Energjinë që është arritur në Bruksel qysh më 2013. Ky Udhërrëfyes përmban 9 pika dhe parasheh licencimin e kompanisë serbe Elektrosever nga ZRrE-ja shkruan Gazeta Express.

Emisari i BE-së, Lajçak që ka ndërmjetësuar marrëveshjen e nënshkruar nga Bislimi e Petkoviq, ka publikuar Udhërrëfyesin me pikat

Komento: