Isa Mustafa komenton taksën ndaj Serbisë

16:27 | 11 January 2019

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka quajtur vendim popullist taksën për produktet serbe.

Mustafa, duke folur për letrën që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i ka dërguar institucioneve të Kosovës, theksoi se thirrja e presidentit Trump drejt institucioneve të Kosovës nuk po përfillet nga Qeveria e Kosovës.

Kësisoj, Mustafa tha se vendosja e masës për taksën 100% për Serbinë, është veprim popullist nga ana e kryeministrit, Haradinaj.

“Me letrën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, kemi pas një paralajmërim të një angazhimi të veçantë të SHBA-ve, shtet ky në të cilën ne besojmë shumë dhe e kemi përshëndetur si të tillë. Por, për ne është e paarsyeshme që me marrjen e kësaj letre, qeveria për arsye të veta më shumë populliste i shton masat e taksës 100% në vend që të ketë konsideratë ndaj një presidenti që vjen nga shteti mik. Ne konsiderojmë që institucionet duhet ta marrin përgjegjësinë për dialogun”, theksoi kreu i LDK-së në një konferencë për media.

Ndërkohë ai ripërsëriti thirrjet e tij ndaj Qeverisë së Kosovës, që të marr përsipër udhëheqjen e dialogut, pasi një detyrë e tillë sipas tij i takon Qeverisë.

“Dialogu sipas LDK-së i takon qeverisë dhe kreut të saj dhe asnjë ekipi apo grupi”, tha Mustafa.

Komento: