Me 6 tetor në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën të dielën në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka refuzuar ta urojë VV-në për fitoren.
Ka thënë se fituesi do të dihet vetëm pasi të përfundojë numërimi i të gjitha votave, diasporës dhe me kusht.
Ka bërë të ditur se këto ditë do të takohet me Kurtin për shikimin e mundësisë së bashkëqeverisjes.
Postimi i plotë:
Qytetarë të nderuar
Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq.
Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.
Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së.