Isa Mustafa: Osmani veproi drejt me shpërndarjen e Kuvendit

09:55 | 09 Mars 2026
isa-mustafa:-osmani-veproi-drejt-me-shperndarjen-e-kuvendit

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se Presidentja Vjosa Osmani, për të “rrallën herë” gjatë mandatit të saj ka vepruar drejt me shpërndarjen e Kuvendit.

“Në këtë rast ndaj bindjen se Presidentja Osmani ka vepruar drejt me shpërndarjen e Kuvendit për të rrallën herë në mandatin e saj”, ka thënë Mustafa.

Ish-Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se “te ne, Kushtetuta lexohet me syza të ndryshme”, por megjithatë konsideron se “është mirë që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht sulmeve që i bëhen kësaj Gjykate”.

“Unë e shoh se Kushtetuta e përcakton qartë se Presidenti zgjedhet më së largu 30 ditë pa skaduar mandati i Presidentit aktual”, potencon ai, duke i dhënë të drejtë Presidentes për vendimin e saj.

Osmani, të premten, në një konferencë për media, njoftoi se e ka shpërndarë Kuvendin pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit të enjten, kur ishte edhe afati i fundit për ta zgjedhur të parin e shtetit.

Seanca dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallën ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë – ata të koalicionit qeverisës: Lëvizja Vetëvendosje dhe ata të komuniteteve jo shumicë jo serb – nga 80 sa duhet të marrin pjesë në votim.

Nga VV-ja e kundërshtuan dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Albin Kurti dhe vartësit e tij pretenduan se është antikushtetues dhe kanë thënë se presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Nga ana tjetër, partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – thanë se shpërndarja e Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën.

Të premten, Presidentja Osmani, të cilës i kanë mbetur më pak se një muaj në zyrën e Presidencës, thirri në takim krerët e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja.

Nga partitë shqiptare, shkuan të gjithë liderët e partive opozitare – Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së. Mungoi vetëm Albin Kurti i VV-së./VOX Kosova

Komento: