
Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të involvohet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.
Në një reagim publik, Mustafa ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesa të shumta nga mediat për t’u deklaruar mbi rrjedhat aktuale në LDK, por ka theksuar se këto çështje nuk duhet të zgjidhen përmes deklarimeve të degëve, simpatizantëve apo presioneve publike.
“Jam munduar të mos involvohem me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike dhe zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së,” ka thënë Mustafa.
Ai ka paralajmëruar se forma të tilla të propagandës dhe tifozllëkut mund të deformojnë demokracinë e brendshme dhe ta shndërrojnë Kuvendin e LDK-së në arenë përçarjesh, duke rikujtuar se partia ende nuk është shëruar nga përvojat e së kaluarës. Mustafa ka theksuar se LDK nuk duhet të identifikohet me emra të veçantë, përveç themeluesit të saj historik, Ibrahim Rugova, dhe se partia ka potencial dhe forcë vetërregulluese për t’u ringritur si subjekt i fortë politik.
“LDK qëndron para çdo emri të përveçëm. Ajo mund dhe duhet të ringritet si parti që siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës,” ka deklaruar ai.
Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike. Ai ka theksuar gjithashtu se reformat në LDK duhet të udhëhiqen nga njerëz besnikë ndaj partisë, të hapur ndaj anëtarëve dhe gjeneratave të reja, pa ndarje mes “të vjetërve” dhe “të rinjve”.
“Në LDK askush nuk është i tepërt. Përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati ka pasojë,” ka përfunduar Mustafa./Kosovapress/