Isa Mustafa përmes një letre i ankohet QUINT-it dhe BE-së për presidenti Thaçi

12:39 | 21 Dhjetor 2018

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa u ka shkruar letër QUINT-it dhe BE-së, ku i ka njoftuar presidenti Hashim Thaçi po tenton t’i garantojë koalicionit qeverisës shumicë në KQZ.

Mustafa, sot ua ka përcjellë ambasadorëve të shteteve të Kuintit, OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë një letër në të cilën ka sqaruar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës siç thonë ata, rreth tendencave të Presidentit Thaçi për zvarritjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, që nga 27 marsi e këtij viti, duke e defunksionalizuar tërësisht këtë institucion kushtetues.

Sipas një komunikate të LDK-së, letra sqaron dhe reagon ndaj tendencës së presidentit Thaçi, pa baza ligjore e kushtetuese t’i garantojë koalicionit qeverisës, shumicë në KQZ duke dëmtuar dhe shkelur të drejtat kushtetuese të LDK-së të cilës i takojnë dy anëtarë në KQZ, e jo vetëm një siç pretendon presidenti Thaçi.

“Në fund kryetari Mustafa njoftoi se LDK-ja është tejet e vendosur të mbrojë të drejtën e saj për përfaqësim adekuat në KQZ në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në rast të mosmaterializimit të kësaj të drejte do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Komento: