Isa Mustafa, ka pasur sot një takim të rëndësishëm.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot ka pritur në takimin lamtumirës ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e shoqëruar nga Zlatko Vnuçeq, sekretar i parë i Ambasadës së Kroacisë.
Sipas një komunikate nga LDK-ja, Mustafa e njoftoi ambasadoren Kapitanoviq për qëndrimin e LDK-së në lidhje me situatën aktuale politike në Kosovë.
Po ashtu falënderoi shtetin e Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.
Ambasadorja Kapitanoviq e uroi Mustafën për rizgjedhjen në krye të LDK-së dhe përgëzoi për procesin zgjedhor demokratik në LDK.
Po ashtu Ambasadorja kroate e falënderoi Mustafën për korrektësinë dhe bashkëpunimin sa ishte kryeministër i Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm, në veçanti në ekonomi, arsim, kulturë dhe sektorë të tjerë që ndikojnë në zhvillimin e Kosovës.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ismet Beqiri.