Isa Mustafa pro nominimit të Vjosa Osmanit për Kryeministre, por ka këtë kusht

19:32 | 24 Gusht 2019

Isa Mustafa i ka vënë kusht Vjosa Osmanit.

Isa Mustafa është pro nominimit të Vjosa Osmanit për Kryeministre, por për këtë ka një kusht: që ajo të bashkëpunojë me djemtë e tij, të mos ua dëmtojë bizneset atyre dhe të mos ua revokojë licencën për terminalin doganor.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka mundur të dalë sot me të Kandidatin e saj për Kryeministër, ashtu siç ishte paralajmëruar, ndërkohë që pakënaqësitë dhe tensionet brenda kësaj partie duket që janë rikthyer.

Pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Kryesisë së LDK-së, të cilën e kanë bojkotuar Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, është thënë se të hënën do të përmbyllen diskutimet rreth të nominuarit të kësaj partie për postin e Kryeministrit.

Por, burime të Periskopit thonë se kjo shtyrje nuk lidhet me mungesën e unitetit brenda LDK-së për emrin e Vjosa Osmanit, por me mungesën e finalizimit të një marrëveshjeje mes saj dhe Isa Mustafës.

Lideri i LDK-së, siç pohohet, është pro nominimit të Vjosa Osmanit për Kryeministre, por për këtë ka një kusht: që ajo të pranojë të bashkëpunojë me djemtë e tij, në mënyrë që mos t’ua dëmtojë bizneset dhe të mos ua revokojë licencën për terminalin doganor, për të cilën ishte raportuar se ishte bërë në mënyrë të dyshimitë ditën kur është zgjedhur President Hashim Thaçi.

Deri më tash, thonë burimet e Persikopit, Vjosa Osmani nuk e ka pranuar këtë kusht dhe nuk dihet nëse do të dorëzohet apo jo deri të hënën.

Qeveria Mustafa, në vitin 2016, pat pajisur me licencë për biznesin e terminaleve kompaninë e drejtuar nga djali i Kryeministrit Isa Mustafa, Arben Mustafa.

Kompania “INTEREUROPA KOSOVA L.L.C”, bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit, është në pronësi të kompanisë sllovene “Intereuropa D.D”, dhe Hazbi Hasanit.

Arben Mustafa dhe Andrej Karl figurojnë si persona të autorizuar në këtë biznes. Emri i kësaj kompanie figuron edhe në deklarimin e pasurisë së Isa Mustafës në vitin 2010, ku kishte shënuar se pesë për qind të aksioneve në këtë kompani i ka djali i tij.

Komento: