Isa Mustafa, është dekalruar pas takimit të sotëm të mbajtur me antarët e kryesisë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka mbajtur takim me anëtarët e kryesisë së kësaj partie.
Pas këtij takimi, ai përmes një shkrimi në facebook ka thënë se LDK do të dalë e fortë dhe unike në Kuvendin Zgjedhor, e para në zgjedhjet nacionale dhe se nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë.
Derisa, ka thënë se nuk i merr serioz dhe as të pjekur ata që i deshirojnë karriga.
Ja statuesi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë
Më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme. Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet.
Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëritjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së.
LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie. Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike.
LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë. IM