Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshe ka miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se votimi në Kuvend i rezolutës së propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, nuk është zgjidhje për dialogun, por është zgjidhje afatshkurtër për të mbetur në pushtet koalicioni qeverisës.
Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar.
Postimi i plotë i Mustafës:
“Të nderuar qytetarë,
Votimi në Kuvend i Rezolutës së propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, nuk është zgjidhje për dialogun por, është zgjidhje afatshkurtër për të mbetur në pushtet koalicioni i dështuar qeverisës. Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar.
Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë. Një marrëveshje e qëndrueshme. Çdo veprim tjetër është blerje kohe dhe mashtrim.
Procesi dhe Marrëveshja eventuale për dialogun e ekipeve të improvizuara pa legjitimitet me votë të qytetarëve dhe e institucioneve pa legjitimitet kushtetues është në dëm të Kosovës dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga LDK”, ka shkruar Mustafa.