Mustafa: Qytetarët po i bartin pasojat që votuan ata që kanë penguar liberalizimin e vizave.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se çështja e liberalizimit të vizave do të përmbyllej në vitin 2016, nëse do të ishte ratifikuar marrëveshja e kufirit me Malin e Zi.
Ish-kryetari i LDK-së, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se në atë kohë ka munguar vullneti politik për ta fituar liberalizimin e vizave.
“Në fakt as Demarkacioni nuk ka qenë kusht që e kanë pasur vendet tjera, mirëpo është shfrytëzuar rasti meqenëse është parë interesi i përgjithshëm jo vetëm i Kosovës, por edhe i stabilitetit në rajon që Mali i Zi të bëhet anëtar i NATO-s. Nuk ishte preferencë që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s nëse nuk i ka të rregulluara të gjitha çështjet kufitare me fqinjët, prandaj ka qenë ajo kërkesë që ta bëjmë ratifikimin e marrëveshjes dhe ta marrim liberalizimin”.
“Kemi mundur ta marrim në vitin 2016, por nuk ka pasur vullnet politik nga opozita i cili po shihet edhe tani dhe jemi dëmtuar atëherë. Tani ka qenë e pritshme që nëse futemi në këtë fazë do të kemi probleme për arsye se na është tërhequr vërejtja edhe atëherë se disa vende kanë probleme të brendshme me të djathtën ekstreme ose të majtën ekstreme për ta përkrahur liberalizimin për Kosovën siç ka qenë Franca”.
Mustafa duke folur për ‘kriteret e reja’ ka thënë se kanë qenë të pritshme për shkak se kohë më parë ka humbur momentumi, teksa shton se liberalizimi i vizave do të ndërlidhet me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
“Tani kemi ardhë në atë situatë në të cilën na është tërhequr vërejtja edhe atëherë. Jemi paralajmëruar se nëse nuk e bëjmë punën në vitin 2016 dhe futemi në zonën e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe të zgjedhjeve të disa shteteve tjera do të kemi probleme. Tani kjo çështje është hapur dhe ka qenë e pritshme të hapet, sepse jemi në fazën e dialogut dhe tani po shfrytëzohet dialogu për të kushtëzuar, sipas meje, liberalizimin e vizave me kushtet e reja. Është jokorrekte sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe unë pres që në këtë formë do të kushtëzohemi edhe më tutje përderisa nuk bëhet një marrëveshje”.
Ish-kryeministri ka folur edhe për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen finale me Serbinë.
“Në fakt tani mund të bëhet një gjysmë marrëveshje, sepse siç po duket nga disa informata të cilat kanë dalë në opinion dhe korniza të cilën e ka ofruar Franca dhe Gjermania nuk e përmbyll tërësisht çështjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por mund ta përfundojë një pjesë tani e një pjesë më vonë që do të thotë se nëse liberalizimi i vizave bëhet me një marrëveshje të tillë, atëherë marrëveshja nuk do të jetë ajo që ka qenë e pritur për Kosovën”.
Ai i ka komentuar edhe veprimet e opozitës në kohën kur ai ishte kryeministër, duke përmendur edhe shpenzimet e qytetarëve për viza.
“Pasojat janë të qarta ashtu siç u tha edhe nga ish-kryeministri Hoti se qytetarët kanë paguar rreth 90 milionë euro për procedurat për viza. Jo të gjithë ata që i kanë paguar kanë marrë viza dhe shumica prej tyre i kanë çuar paratë kot. Do të paguajmë ende deri sa t’i plotësojmë kriteret e reja të cilat Franca i vë para nesh, pra qytetarët e kanë paguar sjelljen e tillë të opozitës, mirëpo vetë qytetarët e kanë paguar edhe sjelljen e vet, sepse qytetarët ua kanë dhënë votën atyre që atëherë e kanë penguar liberalizimin e vizave, atyre që kanë sjellë gaz lotsjellës, bomba molotovi e të tjera, pra qytetarët janë solidarizuar me veprimet e tilla me vetë faktin se i kanë votuar. Prandaj edhe ne si qytetarë duhet t’i bartim pasojat e ndërgjegjes sonë dhe të sjelljes tonë. Është keq, edhe për mua nuk është e kënaqshme që po e them këtë, mirëpo vërtetë kemi ardhë në një situatë që ne tani po i paguajmë dëmin që i është shkaktuar vendit më përpara”.