Isa Mustafa tregon çka bisedoi mbrëmë me presidentin Thaçi

13:25 | 28 Shkurt 2019

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi janë takuar mbrëmë në orët e vona. Se çka u bisedua në këtë takim sot ka treguar Isa Mustafa.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të heqë dorë nga diskursi politik për korrigjimin e kufijve në mënyrë që të vazhdohet tutje me dialogun me Serbinë.

Përmes një shkrimi në Facebook Mustafa njoftoi se Thaçi e ka informuar lidhur me kërkesat dhe paralajmërimet për masa serioze ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni SHBA-ve.

Mustafa theksoi se ka shprehur qëndrimet e LDK-së për nvojën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme para dialogur, që sipas tij sigurojnë legjitimitet.

Gjitha këto janë diskutuar në takimin e mbrëmshëm Thaçi-Mustafa në shtëpinë e këtij të fundit.

Mbrëmë e takova Presidentin Thaçi në shtëpinë time. Kërkoi të më informoj, si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i SHBA-së.

Ia shpreha brengosjen time dhe të LDK-së për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin. Kërkova nga Presidenti që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu.

Se LDK nuk do të pajtohet ne asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo qon në rihapje të shtetësisë. Poashtu, theksova se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-të, si aleatin tonë strategjik. Ia shpreha qëndrimet e LDK-së për dialogun dhe nevojën që para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin.

Kam vërejtur se ka pasur spekulime si dhe akuza për këtë takim; disa budallenjë e kanë cilësuar edhe si tradhti. Të tillët janë injorantë e zjarrëvënës.

Kur është në pyetje interesi i shtetit dhe partneriteti me SHBA-të do të bisedoj dhe do të takohem me të gjithë, sepse i besoj programit dhe frymës së LDK-së. LDK nuk është parti diskomunikuese, nuk frikësohemi nga takimet, sepse u qëndrojmë besnik zotimeve tona politike.

Ditet e kaluara kam komunikuar edhe me Kryeministrin Haradinaj dhe me zv.kryeministrin Limaj. Më herët edhe me z. Kurti. Të gjithë ne kemi përgjegjësi për këtë vend, si pozitë dhe si opozitë” shkruan Isa Mustafa.

Komento: