Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës,Isak Shabani, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Media, për FrontOnline, ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për mediat, pas incidenteve terroriste që ndodhën në veri të Kosovës.
Sipas Shabanit, Kurti ka sulmuar mediat duke i akuzuar ato për një “luftë hibride” kundër qeverisë, duke i etiketuar si shërbëtorë të Serbisë.
‘Kryeministri, edhe menjëherë pas rasteve terroriste në veri, sulmon mediat dhe flet për luftën hibride që, sipas tij, po bëjnë ato kundër qeverisë. Me pak fjalë, i akuzon se janë në shërbim të Serbisë’’ thotë ai.
Shabani tha se kryeministri dhe Qeveria e tij po tentojnë të shpërqendrojnë vëmendjen nga çështjet e brendshme, duke i akuzuar mediat për veprime të dëmshme, ndërkohë që ato po raportojnë për shkelje të rëndësishme, siç janë afera korruptive, vjedhjet në ministri, dhënia e kontratave me burim të vetëm, si dhe skandalet lidhur me rezervat shtetërore dhe punësimet e dyshimta.
‘’Pse? Sepse mediat raportojnë për afera korruptive, vjedhje në ministri, 2,123 kontrata me burim të vetëm, për vjedhjen e miellit dhe vajit nga rezervat shtetërore, për dhënien e subvencioneve familjarëve dhe aktivistëve të VV-së, punësimet familjare, deri te kunatat, e kështu me radhë’’ thekson ai.
Deputeti i PDK-së, tha se mediat nuk po zhvillojnë luftë hibride, por po kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.
‘’Nuk ka lufte hibride nga mediat por ka media qe kerkojne transparence dhe llogaridhenie’’ u shpreh deputeti Shabani.