Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj për FrontOnline, ka komentuar emërimin e diplomatit danez Peter Sorensen si Përfaqësues të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të BE-së për të dhënë fund tensioneve dhe për të pasur një rezultat konkret në dialogun e stërgjatur mes dy vendeve.
“Emërimi i diplomatit me përvojë, danezit Peter Sorensen, si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, është edhe një përpjekje e BE për t’i dhënë fund tensioneve dhe dialogut tashmë të stërgjatur ndërmjet dy vendeve tona fqinje.” tha ai.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në këtë proces.
“Fatkeqësisht, as Vuçiqi dhe as Kurti nuk e kishin marrë këtë temë seriozisht, por më shumë e shndërruan si agjendë elektorale për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tyre.” potencoi ish-ambasadori.
Dedaj gjithashtu ka vlerësuar përvojën e Sorensens, duke theksuar se ai ka përvojë edhe në institucionet e OKB dhe njëkohësisht ka qenë edhe përfaqësues në Bosnje dhe Hercegovinë, pra është i njohur me temat e nxehta të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Kosovës e Serbisë.
‘’ Diplomati Petersen ka përvojë edhe në institucionet e OKB dhe njëkohësisht ka qenë edhe përfaqësues në Bosnje dhe Hercegovinë,pra është i njohur me temat e nxehta të Ballkanit Perendimor si dhe të Kosovës,’’ tha Dedaj.
Ish-ambasadori ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale.
“Në njëren ane e kemi putinistin Vuçiq i cili nuk ka treguar gatishmëri për të njohur realitetin e ri dhe pavarësinë e Kosovës, duke manipuluar me kartat e perendimit dhe te lindjes. Nga ana tjeter diplomacia e Kosovës për këto pesë vite të qeverisjes së VV ishte tëresisht e kotë dhe e dështuar në politikat e jashtme dhe raportet me partnerët euroatlantik dhe vendet fqinje,duke përfshirë edhe vetë Serbinë’’ deklaroi Dedaj.
Dedaj ka bërë thirrje që diplomati Sorensen dhe Qeveria e re e Kosovës pas 9 shkurtit të koordinohen ngushtësisht me Administratën e SHBA të Presidentit Trump, nëse synojnë një zgjidhje përfundimtare, njohje të ndërsjellta, stabilitet dhe progres në Kosovë dhe rajon.
‘’Diplomati Soren Petersen por edhe Qeveria e re e Kosovës,pas 9 shkurtit, duhet të bashkëveprojnë dhe të koordinohen më ngushtë me Administratën e SHBA të Presidentit Trump,nese synojnë zgjidhje përfundimtare,njohje të ndersjellta,stabilitet dhe progres ne Kosovë dhe rajon!’’ përfundoi Dedaj.