Ish-ambasadori holandez: Turp për Francën nëse Kosova kushtëzohet me sistemin ETIAS

09:23 | 15 October 2022

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka quajtur “turp të madh” kushtëzimin e liberalizimit të vizave për kosovarët me sistemin ETIAS.

Bosch këto deklarime i ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, duke thënë se nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë është një turp i madh ta dëgjojë një propozim nga një shtet si Franca, që synon kryesimin e BE-së.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë turp për Francën, e cila aspiron të udhëheq BE-në. ETIAS ndoshta nuk do të jetë funksionale për një kohë shumë të gjatë duke marrë parasysh përvojën me sisteme të tilla në të kaluarën. Të shtosh këtë kushtëzimin shtesë vetëm për Kosovën nuk është gjë tjetër veçse turp total!”, ka shkruar ai.

Një kushtëzim të këtillë e ka kundërshtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e vendit në një takim me përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, tha se Kosova pranon të jetë pjesë e ETIAS, por jo të kushtëzohet liberalizimi i vizave me funksionalizimin e saj.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja do të vazhdoj takimet me ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në ditët në vijim”, u tha në komunikatën e presidencës.

Lidhur me këtë ende nuk është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shkuar në Berlin për Kongresin e Partive Socialiste.

Komento: