Ish-ambasadori Kirby: Realiteti ndonjëherë është i sertë, por marrëveshja për asociacionin duhet zbatuar.
Ish-ambasadori i ShBA-së në Serbi, Michael Kirby, beson se Asociacioni i Komunave Serbe duhet themeluar pa ndonjë vonesë.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka theksuar se marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet, transmeton KlanKosova.
“Realiteti ndonjëherë është i vrazhdë, por marrëveshja për asociacionin është arritur shumë kohë më parë. Tani jemi më 2023 dhe kjo marrëveshje është e nevojshme që të zbatohet në një pikë. Asociacioni është bërë për gjëra të mira. Jam optimist se zbatimi do të ndodhë me një marrëveshje me Kurtin, ose ndonjë qeveri tjetër në Prishtinë”, është shprehur Kirby.
Derisa ka folur për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ai ka thënë se është mirë që të dyja palët të jenë mesatarisht të pakënaqura.
“Mendoj se edhe Kurti edhe Vuçiq duan të japin përshtypjen se janë të detyruar të pajtohen me një plan të papërkryer. Dhe kështu duhet të jetë, ngase nëse do të ishte i përkryer për njërën palë, pala tjetër do të ishte tepër e pakënaqur”.
Për të marrëveshja e mundshme do të tregonte nëse Serbia do të rreshtohej kah Bashkimi Evropian apo Rusia.