Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar ish-deputetja, Labinotë Demi-Murtezi.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka njoftuar se subjektit që ai e drejton nga sot i është bashkuar edhe Labinotë Demi-Murtezi ish-anëtarja e Partisë së Drejtësisë dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi në Facebook.
Ja postimi i plotë:
Labinotë Demi-Murtezi është letrare dhe albanologe, ka përfunduar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ajo u anëtarësua në Lëvizjen tonë. Me prejardhje është nga Gjilani ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme (mjekësi e përgjithshme).
Vazhdimisht është kyçur në jetën publike, me aktivitete kulturore e shkollore si nxënëse, me ç’rast ka qenë edhe kryetare e të gjitha shkollave të mesme të qytetit. Pastaj, si studente ka qenë aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave.
Ka marrë pjesë në disa kurse e trajnime specialistike, ka qenë asambliste e Kuvendit Komunal në Gjilan, Drejtore e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mandej edhe deputete në legjislaturën e kaluar të Kuvendit. Znj. Labinote dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me VETËVENDOSJE!-n e të domosdoshme për Kosovën.