Ish-shefi i diplomacisë norvegjeze ka thënë se pas vitit 1999 janë krijuar tri shtete të pavarura, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Knut Vollebaek, shef i diplomacisë norvegjeze gjatë bisedimeve në Rambouillet, për gazetën “blic” të Beogradit ka folur për zhvillimet gjatë atyre bisedimeve.
Ai ka treguar se delegacioni i Kosovës që në arritje kishte kërkuar kategorikisht vetëm pavarësi ndërsa delegacioni nga ish RFJ, këmbëngulte që Kosova të mbetej çështje e brendshme saj.
Ka shtuar se krimet që ishin bërë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë dhe refuzimi kategorik i Milosheviqit të pranojë marrëveshjen, sollën fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake e policore serbe.
“Nuk kemi dashur që në Kosovë të përsëritej Srebrenica, prandaj janë bërë sulmet ajrore”, ka thënë Vollebaek, transmeton Koha.net.
Duke folur se cilat janë rezultatet e konferencës së Rambouillet pas njëzet vjetësh, ai ka thënë:
“Nga Jugosllavia e vitit 1999, tani janë bërë tri shtete të pavarura dhe sovrane: Serbia, Mali i Zi dhe Kosova. Marrëdhëniet e Serbisë e të Kosovës ende nuk janë rregulluar dhe ato e dëmtojnë njëra-tjetrën, janë burim i jo stabilitetit dhe pengesë e përparimin ekonomik e politik. Është koha e fundit që çështje të mbetura të rregullohen me bisedime e kompromis”.