Ish-diplomati serb: Kosova, histori e mbyllur – Perëndimi ma rrëmbeu edhe në Kumanovë

19:53 | 19 Shtator 2024
ish-diplomati-serb:-kosova,-histori-e-mbyllur-–-perendimi-ma-rrembeu-edhe-ne-kumanove

Ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviq, tha se Kosova është histori e mbyllur dhe se ajo që u shpëtua në luftë humbi në paqe.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”, Vujoviq vlerësoi se presidenti serb, Alleksandar Vuçiq tani ka një “detyrë të re” për të mundësuar nxjerrjen e litiumit dhe për të shpëtuar industrinë gjermane të automobilave.

“Kosova është histori e mbyllur, atë e mori macja me vete”, ka thënë Vujoviq, teksa shtoi se Vuçiqi ka humbur gjithçka në paqe që “disa njerëz të mirë kanë ruajtur gjatë luftës”.

“Vuçiqi po e dorëzon Kosovën, nuk është se po e rrëmben Perëndimi. Ata ma kanë rrëmbyer edhe në Kumanovë, kështu që në nenin e parë të marrëveshjes kam thënë se Kosova është pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë, edhe pse në atë kohë ishte bombarduar”, theksoi Vujoviq, transmeton Klankosova.tv.

Siç ka kujtuar ai, në përfundim të marrëveshjes së Kumanovës ka mbetur që qindra policë, roje kufitare, fitologë dhe veterinerë serbë të kthehen në Kosovë.

“Serbët nga Kosova aktualisht janë në një situatë shumë të keqe, pothuajse të pashpresë”, tha Vujoviq, i cili beson se në një pozitë të tillë janë vënë nga kreu i shtetit serb dhe “filiali” i tij, Lista Serbe.

Sipas mendimit të tij, kur policët serbë hoqën uniformat e tyre të Policisë së Kosovës, Vuçiqi humbi mbretëreshën në një lojë shahu, dhe më pas ai shkoi më tej dhe pengoi serbët të votonin, me çka shqiptarët me mbështetjen e dy për qind morën pushtetin në veri.

Vujoviq kujton edhe “faullin” me Banjskën, për të cilin thotë se “nuk dihet nëse është më keq që Beogradi e ka organizuar atë konflikt apo nuk ka ditur fare për të”.

“Këto gabime çuan në një marrëveshje të heshtur për t’i dhënë fund problemit të Kosovës me masa urgjente dhe thjesht për ta transferuar plotësisht atë në Prishtinë në përputhje me planin gjermano-francez dhe aneksin e marrëveshjes së Ohrit”, shpjegoi Vujoviq.

Ai mendon se Vuçiqi është një “zbatues i shkëlqyer” i të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe se në vazhdimësi ka përmbushur gjithçka që është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe në aneksin e Ohrit.

“Banjska shërbeu vetëm si kapsollë për të shpërthyer dhe për të kryer punën shpejt”, pohon Vujoviq.

Ai e krahasoi propozimin e Vuçiqit për organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve në policinë dhe drejtësinë e Kosovës, me historinë e elefantit në dyqanin e xhamit.

“Elefanti bën tre ose katër lëvizje dhe thyen gjithçka, pastaj ulet në parket dhe përpiqet të ngjitë enët. Nuk ka asgjë nga ajo punë”, tha Vujoviq.

Lidhur me aktakuzën për agresionin në Banjskë, ai tha se “puna më e rëndësishme për vendet e Quint-it në vitin e kaluar ishte zbatimi i marrëveshjes nga dialogu, kështu që rastin e Milan Radoiçiqit dhe Banjskës “e shkelmuan si kanaçe në rrugë”.

“Kishin gjëra më të rëndësishme për të përfunduar, por me kalimin e kohës, kanaçja u shfaq mbi tavolinë dhe po marrin masa për Banjskën”, saktësoi Vujoviq.

I pyetur për qëndrimin e Serbisë në politikën e jashtme, ai tha se “Vuçiqi është një njeri që ka ngrënë grurë nga disa hambarë”.

“Kjo funksionoi për një kohë, por tani disa hambarë janë mbyllur. Vizita e Alleksandar Vullinit tek presidenti rus Vlladimir Putin dhe ftesa në BRICS është një paralajmërim serioz”, beson Vujoviq.

Nga ana tjetër, ai mendon se Vuçiqi, “si lider autoritar, nuk i përshtatet sistemit të vlerave bazë të Bashkimit Evropian, si demokracia, liria e mediave dhe ndarja e pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”.

“Megjithatë, Evropës nuk i intereson se si është Vuçiqi. Rëndësi ka që Vuçiqi ‘të japë qumësht’, pavarësisht nëse është me çokollatë, siç është Kosova, apo pak e helmuar, si litiumi”, ka ilustruar Vujoviq.

Komento: