Ish-drejtori i Policisë, njëherësh kandidati për deputet nga PDK, Rashit Qalaj, ka folur për “Front Online” lidhur me rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë në prag të zgjedhjeve.
Ai ka vlerësuar si pozitive këtë rritje, duke theksuar se ky veprim ofron një garancion për zhvillimin e zgjedhjeve pa probleme.
Qalaj tha se ky numër i rritur i ushtarëve të KFOR-it është i bazuar në analizat dhe informatave inteligjente të forcave ndërkombëtare.
“Është pozitive rritja e numrit të ushtarëve të KFOR-it. Ky numër kishte me qenë mirë të rritët edhe në kufirin me Serbinë, sepse ofron një garancion që zgjedhjet edhe në atë pjesë të mbahen pa probleme. Kjo rritje e pjesëtarëve të KFOR është bërë në bazë të informatave inteligjente që i kanë ata dhe analizave që i kanë bërë këtyre informatave”, ka thënë Qalaj.
Ai ka sugjeruar që Policia të intensifikojë patrullimet në komunat veriore.
“Policia duhet t’i shtojë patrullimet për komunat në veri. Pasi është shtuar numri i KFOR dhe policëve besoj që do të shtohet edhe po të këtë ndonjë incident do të menaxhohet shpejt”, deklaroi Qalaj.