Tre muaj para përfundimit të mandatit, kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim për t’i rritur pak pagat sektorit publik, me 55 euro nga 1 janari 2025, po aq edhe nga 1 korriku 2025.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për vitin 2025 do të mbetet e njëjtë pra 110 euro, por se do të rritet koeficienti për njësi.
“Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, sidomos në këto kohë kur i gjithë globi po përballet me kosto të rritjes së jetesës, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për njësi. Pra vlera e koeficientit mbetet e njëjtë. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5. njësi nga janari 0.5 njësi të tjera. Me fjalë të tjera, dikush që e ka koefiencitin 5.6 në janar i bëhet 6.1 e në korrik 6.7”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Të pakënaqur më rritjen e pagave nga Qeveria e Kosovës janë shprehur stafi shëndetësor.
Ish-drejtori i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Curr Gjocaj, institucion ky që ka më së shumti personel shëndetësor të punësuar, ka deklaruar për Front Online se edhe pse rritja e koeficientit për njësi është një hap në drejtim të duhur, ajo nuk është e mjaftueshme.
Ai theksoi se koeficienti aktual i pagave, që është 110 euro, duhet të rritet në 130-135 euro për të reflektuar nevojat e vërteta të punonjësve, sidomos për ata që kanë paga më të ulëta. Sipas tij, çdo rritje në koeficient do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e pagave, por theksoi se kjo duhet të bëhet përmes një ligji të miratuar në Parlament, që do të garantojë një rritje të qëndrueshme dhe të justifikuar.
‘’Rritja e pagave duhet konsideruar rritje ajo që është në koeficient d.m.th. vlera e koeficientit aktualisht është 110 euro. Nëse ka rritje të pagave duhet ndikuar në koeficient, kjo është vetëm shtesë rritje është ajo që miratohet në parlament përmes ligjit të pagave. Ne kemi pritur rritje vlera e koeficient duhet të jetë 130-135 siç është folur d.m.th. ne na intereson rritja në koeficient se secila rritje në koeficient është e mirë por 135 euro duhet të jetë vlera e koeficientit ‘’, tha Gjocaj për FrontOnline.