Ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi i jep fund karrierës

21:29 | 30 Mars 2019

Ai nuk do të jetë më pjesë e fushës së gjelbër.

Hamdi Salihi ka luajtur sot ndeshjen e fundit të tij në futbollin profesionist, ashtu siç kishte njoftuar dy ditë më parë në rrjetet sociale, teksa është aktivizuar si titullar në sfidën mes Wienner Neustadt dhe Wacker Innsbruck.

Sulmuesi shkodran luajti për 52 minuta gjatë këtij takimi të fundit, për t’u zëvendësuar më pas, duke shijuar për herë të fundit duartrokitjet e publikut austriak, ndonëse nuk arriti të festonte me një gol sot.

Merr fund kështu karriera e njërit prej sulmuesve më të mirë që ka nxjerrë futbolli shqiptar, i cili gjatë karrierës së tij luajti për skuadra si Vllaznia, Tirana e Skënderbeu në Shqipëri, por edhe për emra si Rapidi i Vjenës, Riedi, Panionios, Hapoel Acre, Jiangsu Saints, DC United, etj., në liga të ndryshme europiane.

Shkodrani ka luajtur për një total prej 554 ndeshjesh në karrierën e tij me klube, duke shënuar plot 298 gola, ndërsa ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe për Kombëtaren Shqiptare.

Me kuqezinjtë Salihi numëron 50 ndeshje në rreth 9 vite, ndërsa ka arritur të shënojë edhe 11 gola, ndër të cilët ka mbetur në memorie ai ekzekutim në Norvegji, ku i dha 3 pikët Shqipërisë.

Komento: