Ish-këshilltari i Kurtit tregon shtatë kushtet që Kosova ka paraqitur për marrëveshje me Serbinë

23:15 | 26 Tetor 2023
ish-keshilltari-i-kurtit-tregon-shtate-kushtet-qe-kosova-ka-paraqitur-per-marreveshje-me-serbine

Shkëlzen Gashi, ish këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka komentuar takimin e fundit të Kurtit në Bruksel.

Në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, ai tha se Kosova ka paraqitur shtatë kushte për marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, ato përfshijnë

Sanksione dhe ndëshkim për Serbinë;

Hetim për grupin paramilitar të sponsorizuar nga Serbia;

Grupi terrorist të ekstradohet në Kosovë ku do të ketë gjykim fer;

Nënshkrim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit nga palët;

Kosovës statusin e vendit kandidat për BE;

Njohje e Kosovës nga pesë shtetet e mbetura të BE-së;

Marrëveshja për partneritet për paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se pala tjetër nuk është.

“Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.

Komento: