Ish-komandantët e UÇK-së e përshëndesin vendimin e Kurtit për prodhimin e municionit, i kërkojnë koordinim me aleatët ndërkombëtar

18:08 | 27 November 2024
ish-komandantet-e-uck-se-e-pershendesin-vendimin-e-kurtit-per-prodhimin-e-municionit,-i-kerkojne-koordinim-me-aleatet-nderkombetar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “Ditën e Forcës”, më 27 nëntor 2024, ka nënshkruar vendimin për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laboratorin mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës, raporton Front Online.

Kurti potencoi se ky vendim është i rëndësishëm dhe hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë.

“Ditën e Forcës së Kosovës po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm dhe një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë sonë. Komisioni ndërministror i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministri i Punëve të Brendshme, do të nisë procedurat e nevojshme për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laboratorin mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Gëzuar Ditën e Forcës!”, njoftoi Kurti në Facebook.

Me një vendim të tillë të Kurtit pajtohen ish-eprorët e lartë të UÇK-së, por edhe ekspertët e sigurisë.

 

Lushtaku: I gëzohem vendimit të fundit të Kurtit, Ushtria e Kosovës duhet të forcohet

 

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, ka shprehur mbështetje në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laboratorit për dizajnimin e fluturakeve pa pilot. Ai për FrontOnline ka deklaruar se ai i gëzohet më së shumti këtij vendimi.

‘’ Nëse dikush i gëzohet kësaj çfarë ka thënë Qeveria, unë i gëzohem më së shumti nëse flasim sinqerisht’’, tha  Lushtaku për FrontOnline .

Ai e vlerësoi këtë si një zhvillim të rëndësishëm për forcimin e ushtrisë, duke theksuar nevojën që institucionet të jenë të pajisura me armatim dhe pajisje të nevojshme.

‘’Institucionet duhet të jenë të pajisura me armatim e sende të nevojshme’’, tha ish-komandanti I UCK-së.

Ai po ashtu përmendi se gjatë luftës është tentuar të prodhohet municion, por ka qenë e vështirë në rrethana të tilla.

‘’ Ne gjatë luftës jemi përpjekur të prodhojmë municione, mirëpo ka qenë luftë prapë se prapë’’, përfundoi Lushtaku.

Dukolli për prodhimin e municioneve: Çdo iniciativë duhet bërë në bashkëpunim me miqtë dhe aleatët ndërkombëtar

Ish-komandanti i UÇK-së, Çerkin Dukolli gjithashtu shprehu mbështetje për hapin e Qeverisë dhe theksoi se çdo iniciativë për ndërtimin e kapaciteteve të ushtrisë duhet të realizohet në koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

‘’ Secili udhëtim apo rrugëtim i joni drejt ndërtimit të forcave të Kosovës me kapacitete të plota është e rëndësishme dhe çdo iniciativë e jona në bashkëpunim me miqtë dhe aleatët tanë me ata të cilët na kanë ndihmuar të vimë deri këtu. Kapacitetet krijohen por çka është më e rëndësishmja kjo duhet bërë në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtar në të gjitha proceset’’, tha Dukolli.

 

Ai përmendi faktin se ka ekzistuar një fabrikë për prodhimin e municionit në rrethin e Skenderajt, por që nuk kishte pasur kapacitetet e nevojshme.

‘’ Ka ekzistuar një fabrikë për municion në rrethin e Skenderajt, mirëpo dihet që nuk ka pasur kapacitete, mirëpo tash teknologjia ka avancuardhe niveli  i armatimit dhe nevojitet një qasje e re në këtë drejtim’’, tha Dukolli.

Dukolli theksoi rëndësinë e avancimit të teknologjisë dhe armatimit, por gjithashtu theksoi se ky proces duhet të bëhet në përputhje me aleatët ndërkombëtarë dhe si pjesë e integrimit të Kosovës në NATO, i cili mbetet një prioritet i rëndësishëm.

 

Elezi: Prodhimi i municioneve ka efekt pozitiv edhe në ekonomi

 

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është tashmë një strukturë e mire organizuar dhe e mbështetur nga NATO, e cila ka mbikëqyrur zhvillimin e saj.

‘’ Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës relativisht është një strukturë mjaft mirë e organizuar, e cila është themeluar dhe mbështetur në vazhdimësi nga NATO ‘’, tha Elezi për FrontOnline.

Sipas Elezit, Forca e Sigurisë ka kapacitetet e nevojshme për ta mbrojtur territorin e Kosovës dhe mund të menaxhojë të gjitha sfidat e mbrojtjes në nivel të shtetit.

‘’ Me të drejtë mund të konstatojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka të gjitha kapacitetet e saja sa I përket organizimit të mbrojtjes për territorin e Republikës së Kosovës dhe për mundësitë teknike organizative që mund ti ketë një vendi  sa është Republika e Kosovës’’, theksoi Elezi.

Ai po ashtu theksoi se pas luftës, Kosova ka importuar të gjitha municionet, kryesisht nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe kjo është hera e parë që Kosova po tenton të prodhojë vetë municione.

‘’ Nga pas lufta nuk ka pas asnjë lloj të prodhimit të municioneve, të gjitha municionet deri më tani janë importuar vende të ndryshme e posaçërisht nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian apo nga shtetet anëtare të NATO-s , pra  është hera  e parë që Kosova po tenton të bëjë prodhim të municioneve’’, deklaroi ai për FrontOnline.

Elezi e konsideroi këtë një hap të rëndësishëm edhe për aspektin ekonomik, pasi do të kontribuonte në zhvillimin e industrisë dhe kapaciteteve teknike të vendit.

‘’ Prodhimi I  municioneve është I rëndësishëm  edhe për ekonomi edhe për aspektin teknik kur kemi shembull një situatë të jashtëzakonshme çdo vend duhet të ketë municonet e veta e jot ë presë nga vend et e tjera’’, tha Elezi.

Ndërkohë, ai theksoi se, megjithëse ekspertiza në fushën e prodhimit të municioneve nuk është ende në nivelin më të lartë të mundshëm, Kosova është në një rrugë të mirë dhe po i afrohet standardeve të kërkuara.

‘’ Sa i përket çështjes së ekspertizës mund të themi se kemi  një ekspertizë të pranueshme ndoshta jo e nivelit të duhur që dëshirojmë po në fakt me të drejtë mund të themi se jemi në një rrugë të mirë’’, përfundoi Elezi.

Eksperti I sigurisë: Kosova dekada më parë ka pasur fabrikë që ka prodhuar armatim

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në mbrojtjen e territorit dhe avancimin e komponentëve ushtarakë të Kosovës.

Ai theksoi se, nga perspektiva e sigurisë, FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për të arritur dhe përmbushur misionin e saj, ashtu siç është përcaktuar edhe me ndryshimet ligjore të vitit 2019.

‘’ Sa i përket çështjes se a kemi kapacitete të mjaftueshme për të krijuar mbrojtjen e territorit të Kosovës në planin gjithëpërfshirës në avancimin  e komponentës ushtarake të Kosovës ne mund të konstatojmë dhe vlerësojmë se që FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme  për të arritur dhe për ta përmbushur misionin në mandatin që e ka siç  është I përcaktuar edhe me ndryshimet ligjore  në 2019’’, tha Shala për FrontOnline.

Po ashtu, ai theksoi se Kosova ka pasur një periudhë gjatë së cilës prodhimi i municioneve ka qenë i ndaluar. Sipas Shalës, kjo është hera e parë që Kosova po bën hapin për të prodhuar municione, duke u kthyer në një proces që ka qenë i ndaluar që nga vitet 1990, kur prodhimi ishte i ndërprerë.

‘’ Kosova e ka pasur të ndaluar të prodhojë armatim, prandaj ky është hapi I parë, para viteve të 90-ta ka prodhuar por pastaj jo’’, përfundoi Shala.

 

 

 

 

 

 

 

Komento: