Ish-komandanti i UÇK-së i reagon ashpër Qeverisë: Nëse kishim menduar se kush do ta qeveriste Kosovën, nuk do të hynim në luftë

18:03 | 06 Mars 2024
ish-komandanti-i-uck-se-i-reagon-ashper-qeverise:-nese-kishim-menduar-se-kush-do-ta-qeveriste-kosoven,-nuk-do-te-hynim-ne-lufte

Me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderët shtetërorë e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe të mërkurën në Prekaz, te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Osmani ka thënë se Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë dhe që simbolizon lirinë.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen tonë kombëtare.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Prekazi heroik e historik, kujton çmimin e rrënjët e lirisë që gëzojmë”.

E lëvdatat e tilla për dëshmorët vetëm në data të veçanta, nuk çojnë peshë për një komandat.

Latif Gashi, ish-komandant në Zonën e Llapit, në një prononcim për Front Online ka thënë që po ta kishin menduar se kush do ta qeveriste Kosovën, luftëtarët nuk do të kishin hyrë në luftë.

Ai tha se dëshira e vetme e tyre ka qenë çlirimi i Kosovës.

“Kur jemi hy në ilegale të UÇK-së, me pas menduar se kush e gëzon lirinë, kush ka me qeverisë Kosovën e shumë gjëra të tjera na kishum pritu me hy në luftë, por neve nuk na ka interesuar fare, kush e qeverisë, kush i gëzon benificionet, por na ka interesuar vetëm toka me kanë mirë edhe të gjithë njerëzit që mbeten gjallë le ta gëzojnë lirinë”, ka thënë ai për Front Online.

 

 

Ish-komandanti Gashi për Qeverinë: Homazhet po bëhen për poena politike, protezat e invalidëve nuk i kanë paguar

 

Ish-komandanti i UÇK-së, Latif Gashi thotë se nuk është i kënaqur me punën që janë duke e bërë Qeveria për dëshmorët.

Sipas Gashit, këto homazhe po bëhen për poena politike.

“Pra, s’ka rëndësi kush e gëzon, s’ka rëndësi kush kënd, le të shkoj kush të dojë, por a është e kënaqshme se çka është duke u bërë, jo. Se ti shko në homazhe merr edhe poena politike, por dihet që protezat e invalidëve nuk i kanë paguar dhe fare nuk kanë respekt për fëmijët e dëshmorëve, dhe sa raste janë që janë qit prej pune. Pavarësisht këtyre, ne jemi hy në luftë për me qenë toka e lirë”, u shpreh ai për Front Online.

 

 

Ish-komandanti me akuza për pushtetin: Pozitat i keni të përkohshme, nesër nuk dini me tregu se çka keni bërë për dëshmorët

 

Ish- komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Latif Gashi për Front Online thotë se mungon kujdesi ndaj familjeve të dëshmorëve e veteranëve.

Ai tha se dëshmorët janë vlera kombëtare, por që nuk po respektohen nga qeveritarët.

“Për familjet e dëshmorëve edhe për invalidë, e veteranë, posaçërisht për familjet e dëshmorëve, unë për vete nuk jam i kënaqur, kurrë nuk është boll, domethënë mjafton respekti ndaj tyre, mjafton kujdesi ndaj familjeve të dëshmorëve, por të gjitha këto mungojnë, mendoj se është një mentalitet i krijuar i popullit në përgjithësi mos me dit me i vlerësu vlerat që i ka. Familjet e dëshmorëve janë vlera kombëtare, unë mendoj që mungon kujdesi e respekti për ta”, ka deklaruar ai për Front Online.

Ai për pushtetin thotë që kanë sjellje të turpshme karshi vlerave kombëtare.

“Mesazhi im për të gjithë funksionarët e institucioneve është që ato pozita i keni të përkohshme, kujdes me vlerat e shenjta kombëtare, ato janë të përkohshme, nesër nuk dinë se çka me tregu se çka kanë bërë. Deri sot sjellja e tyre ndaj këtyre vlerave është e turpshme”, u shpreh ai për Front Online.

Komento: