
Refuzimi i Kryeministrit Albin Kurti për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale si dëshmitar lidhur me skandalin e rezervave shtetërore ka sjellë një valë reagimesh politike në vend.
Kurti, i cili ka refuzuar të paraqitet të hënën që lamë pas për intervistë, nga subjekti i tij politik thonë se thirrja nga Prokuroria është një hap politik dhe i motivuar nga interesa të caktuara dhe po ndodhë në kohën kur vendi është në kohë të fushatës zgjedhore, duke e konsideruar si montim politik.
Ditë më pare ka pasur edhe një deklaratë nga zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, i cili tha Kryeministri Albin Kurti do të mund t’i priste në zyrën e tij prokurorët për t’u intervistuar, deklaratë kjo që ka shkaktuar po ashtu një valë reagimesh dhe ka hapur një debat të gjerë mbi mënyrën e veprimit të institucioneve të drejtësisë.
Ky qëndrim i Qeverisë ka ngritur shqetësime lidhur me mundësinë e shkeljes së standardeve dhe praktikave të zakonshme ligjore, përfshirë pyetje rreth pavarësisë së Prokurorisë
Në anën tjetër njohësit e drejtësisë, kanë shpejguar hapat se çfarë mund të ndodhë nëse kryeministri Kurti refuzon të përgjigjet derisa opozita po e sheh si tentim të Kurtit për ta nënshtruar drejtësinë para tij.
Shala e shpjegon: Vetëm në këto dy raste kishte mundur prokurori të shkonte tek Kurti për intervistim
Ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka folur për procedurën ligjore lidhur me thirrjen e Kryeministrit Albin Kurti nga Prokuroria Speciale për intervistim. Sipas tij, Kurti kishte një ftesë për t’u paraqitur në datën 16 dhjetor, por, për shkak të mungesës së tij për arsye se ka qenë jashtë vendit, ai e ka arsyetuar mungesën, duke u shprehur se kur dikush arsyeton mungesën, Prokuroria është e detyruar t’i dërgojë një ftesë të re me një datë tjetër.
‘’Kurti ka pasur ftesë për datën 16 dhjetor, por meqë ka qenë jashtë vendit, e ka arsyetu mungesën, gjithmonë kur arsyetohet mungesa, Prokuroria është e obliguar t’ia dërgoj ftesën tjetër, me një datë tjetër’’ tha Shala.
Ai thekson se deklarata e zëdhënësit të Qeverisë është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, pasi nuk e përmend procedurën e duhur për thirrjen e dëshmitarëve.
‘’Ajo që e tha zëdhënësi i Qeverisë, është në kundërshtim me kodin e procedurës penale’’ shtoi Shala.
Shala thotë se Prokurori mund të intervistojë dëshmitarët vetëm në raste specifike, siç janë mosha e shtyer ose probleme serioze shëndetësore.
‘’Janë të specifikuara rastet se kur Prokurori mundet me shku me marr deklaratë ose intervistim tek dëshmitari, dhe ato raste janë kur dëshmitari ose i intervistuari është në moshë të shtyrë, ose ka probleme serioze me shëndetin , pra është i sëmurë ose i paaftë për të shkuar në Prokurori’’, deklaroi Shala.
Ai thekson se, përderisa Kurti nuk i ka këto, ai duhet të paraqitet personalisht në Prokurori dhe nuk është në rregull që Prokurori të shkojë në zyrën e tij. Kjo është shkelje e procedurës penale, sipas tij.
‘’Këto dy gjëra Kurti nuk i ka dhe meqë nuk i ka, ky duhet me u paraqitë në Prokurori dhe nuk është në rregull nëse ky nuk shkon në Prokurori ose nëse Prokurori shkon në zyrën e tij sepse është shkelje e procedurës penale’’ potencoi ai për FrontOnline.
Në vazhdim,Shala shpjegon se në rastin e arsyetimit të mungesës, seanca mund të shtyhet, por duhet të dakordohen një datë dhe një ftesë e re nga palët.
‘’Kodi nuk e ka përcaktuar sa ftesa mundësh me i dërguar, por sa herë që arsyetohet mungesa, aty shtyhet seanca, por në këtë rast do të duhej që kryeministri dhe prokurori me u koordinu për një datë dhe ftesë të re, kur të dya palët do iu konventonte’’ shpjgon ai.
Sipas ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Hasan Shalla, nëse një person refuzon të paraqitet pas disa thirrjeve, ai mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro dhe sipas tij edhe pas kësaj refuzon, Prokurori mund të lëshojë një urdhër për të shoqëruar dhunshëm personin dhe për ta intervistuar. Nëse ai ende refuzon të dëshmojë, gjyqtari mund të vendosë paraburgim deri në 30 ditë.
‘’Deri në tri herë denohet me të holla me 250 euro dhe nëse as në këto nuk përgjigjet, atëherë Prokurori jep urdhër që Kurti të shoqërohet me dhunë dhe të shkojë në Prokurori të intervistohet dhe nëse aty refuzon dëshminë, gjyqtari ka mundësi të caktoj paraburgimin deri në 30 ditë”’’ deklaroi Shala.
Thaçi: Ftesa për Kurtin, Prokuroria është rreshtuar në anën e opozitës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka akuzuar Prokurorinë se është bërë pjesë e fushatës politike të opozitës.
‘’Prokuroria është bërë palë në fushatë’’ thotë ai.
Në një prononcim për Frontonline, deputeti Thaçi ka theksuar se Prokuroria po mbështet opozitën duke thirrur Kryeministrin Albin Kurti për intervistë në kohën e fushatës zgjedhore.
‘’ Prokuroria, pra është duke mbajtur krahun e opozitës. A e keni dëgjuar ndonjëherë që kryeministri të thirret nga Prokuroria në kohë të zgjedhjeve’’ potencoi Thaçi.
Ai ka përmendur emrin e prokurorit Blerim Isufi, duke e lidhur atë me LDK-në dhe duke shtuar se ky veprim është pjesë e një strategjie të opozitës për të dëmtuar pozitën e Kurtit.
‘’Këtë e bën Blerim Isufi, sepse dihet se Isufi është njeri dhe është i afërt me LDK-në dhe këtë luftë që po e bën është në vazhdë të fushatës së opozitë’’ tha ai.
Deputeti Thaçi ka shtuar se thirrja e Kurtit nga Prokuroria në periudhën zgjedhore është një veprim politik dhe se ky akt është vazhdim i fushatës së opozitës.
‘’Kjo prokurori është krejt politike dhe vazhdë e politikës së opozitës” deklaroi deputeti Thaçi
Muhaxhiri: Refuzimi i Kurtit për intervistim nga Prokuroria do të dëshmonte hipokrizinë e tij
Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline, ka komentuar refuzimin e Kryeministrit Albin Kurti për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me aferat e rezervave shtetërore duke thënë se se Kurti ka një obligim ligjor, moral dhe njerëzor për të respektuar thirrjen e Prokurorisë.
‘’Kryeministri Kurti e ka obligim ligjor, moral dhe njerëzor që ta respektoj këtë ftesë’’, tha ai.
Ai ka potencuar se nëse Kryeministri Kurti vazhdon të injorojë ftesën e Prokurorisë, do të krijojë një precedent të keq, duke ofenduar sistemin ligjor të Kosovës.
‘’Në të kundërtën do ta krijonte një precedent të keq, do të jepte një shembull të injorimit dhe ofendimit ligjor kosovar dhe realisht’’, shtoi Muhaxhiri.
Sipas Muhaxhirit, një veprim i tillë do të dërgonte një mesazh të keq për qytetarët e Kosovës, të cilëve u bën thirrje për respektimin e ligjit dhe rendit.
‘’Mendoj se do të i zhgënjente edhe qytetarët e Kosovës, të cilëve u bën thirrje ta respektojnë ligjin dhe rendin’’ shtoi ai
Ai ka shtuar se nëse Kurti nuk respekton këtë ftesë, do të dëshmohet hipokrizia e tij.
‘’Nëse Kurti nuk e bën këtë vetë, do ta dëshmonte hipokrizinë e tij’’ deklaroj Muhaxhiri
FrontOnline, ka dërguar pyetje edhe në drejtim të zëdhënëses së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi, lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigjie.